Atletja Luiza Gega ka falënderuar kryebashkiakun Erion Veliaj për atë që ka bërë për sportin dhe veçanërisht për shtimin e terreneve sportive. Duke folur në asamblenë socialiste të Njësisë Nr.3 Luiza Gega kishte edhe një kërkesë ndaj kryebashkiakut Veliaj, prej nga mori garancinë e këtij të fundit se është vetëm çështje kohe sa edhe ajo të jetë gati. “Ajo që më gëzon pa masë është që shikoj sot që jemi tek kjo shkollë edhe shumë shkolla si kjo që terrenet sportive janë përmirësuar kaq shumë. Për këtë arsye dua vërtetë kryetar t’iu falënderoj për mbështetjen që i keni dhënë sportit edhe brezave që do të vijnë. Unë e di që është në një projekt të afërt, por që unë vërtetë dua ta marr si një premtim para të gjithë këtyre njerëzve që sot kanë ardhur këtu që se shpejti edhe Tirana do të ketë një pistë vrapimi. Po ashtu dua të përmend edhe faktin që Tirana tashmë ka edhe një maratonë të veten siç nuk e ka pasur asnjëherë edhe unë jam krenare për këtë”, tha Gega.
Kreu i Bashkisë e siguroi se projekti i pistës është gati dhe do të përfshihet për financim. “Tashmë kemi një projekt me Erindën tek Liqeni. Në fakt mbajtëm një premtim për Izmir Smajlin, kampion tonë tjetër që dua ta përshëndes. Izmiri është kampioni ynë në kërcim për së gjati. Kështu që ajo pistë aty mbaroi edhe hapi tjetër është që ne do të fillojmë me pistën e vrapimit. Edhe më vjen mirë që Erinda na ka sjellë një projekt që ne do ta fusim në buxhetin e këtij viti dhe të gjithë bashkë do të kemi mundësi që të të brohorasim jo vetëm nga televizori por edhe në terren në Tiranë”, tha Veliaj.
Kreu i Bashkisë dha një lajm të mirë edhe për kampionët tanë që do të marrin pjesë në Lojërat Olimpike që do të zhvillohen në Japoni. Bashkia e Tiranës ka marrë të gjithë masat që ekipi të shkojë më herët dhe për të zhvilluar stërvitjen atje. “Lojërat Olimpike të ardhshme janë në Japoni. Luiza përfaqëson Shqipërinë edhe ngjyrat kuqezi në lojërat olimpike të Tokio-s. Dhe tashmë kemi gjetur një qytet, në fakt pjesa dërrmuese mos të them të gjithë anëtarët e ekipit olimpik shqiptar janë të Tiranës. Kështu që ne do të sigurohemi shumë që jo vetëm të kemi mbështetje, por të kemi trajnimin, të kemi të gjithë kushtet për stërvitjes dhe të sigurohemi që shkojmë edhe më përpara në Tokio. Tashmë kemi qenë me Erindën, kemi gjetur një qytet, një nga kolegët deputet japonez i cili përfaqëson atë qytet siç Ilda përfaqëson Tiranën dhe njësinë 3 ka marrë përsipër që do të jetë mikpritësi i ekipit tonë që edhe të klimatizohemi me oraret”, deklaroi Veliaj.