Nga Irsa Ruçi/
Në mejdanin politik, nga ballkoni i Kështjellës së Fildishtë të kundrimit rastësor të opozitës pas gjumit letargjik katër vjeçar, kanë nisur të gjëmojnë tumpanët e dëshpërimit me thirrjet, përhapur si zukatje mizash dyerve të port-haleve opozitare: “Rrotacion – Rrota, aman kërkoni ju në emrin tonë të na japin rrotën se do e shpikim nga e para edhe më të madhe.” Dhe prej rreshtit të parë të t’uriturve që presin të lëpihen pas kockës së fitores, në mungesë të argumentit, në humnerën e thellë të vizionit, gjëmojnë çjerrjet se fati duhet të rezervojë fitoren. Edhe në të vetmen arsye që tentuan të sajojnë, sërisht gabuan: rotacioni është arti i përsëritjes, pra ndërgjegjia opozitare nuk e fsheh dot që është ende e brishtë dhe e pa përgatitur për të marrë drejtimin e vendit, e ka nevojë që Partia Socialiste të vazhdojë të qëndrojë edhe një mandat. Rotacioni është kamuflimi opozitar për të thënë “mos na votoni dhe këtë 4 vjeçar, sepse nuk kemi ende këllqet për ta përballuar drejtimin e vendit.”
Qeverisja nuk është një copë letre bakalli që tundet në ajrin e papeshë dhe çifti gazmor i realitetit tonë e di mirë këtë fakt, e kështu, opozita ende në përgjumje, e çartur mes deliresh që sjellin etjen për pushtet, ka nisur të llomotisë në sekuenca të përditshme, fraza të shkëputura prej ëndrrash adoleshentësh, për t’ua shitur shqiptarëve si programe serioze, të cilat për katër vite qëndruan të murosura në zemrën e çiftit politik të lidhur me mblesëri; dhe tani, afro gjashtë muaj para zgjedhjeve hapën kutinë e Pandorës: të qartë në dëshira, por aspak bindës dhe qesharakë në propozime.
Për të qenë konkretë, në daljen e fundit televizive z. Basha veshur me kostumin e luksit që i jep të mos paturit e mbajturit përgjegjësi përpara shqiptarëve, organizoi një konferencë, e cila parimisht duhet të përmbante frymëzimin dhe shpresën për çdo qytetar, si një alternativë besimi. Pra, nëse refuzon një mënyrë drejtimi, duhet të tregosh që je ndryshimi, të jesh çfarë mungon në ambientin politik. Por, përtej pikave tallëse që i shiti si program (sepse është fyese për inteligjencën e çdo shqiptari të thuash që opozita, pas një konsultimi serioz dhe një pune të lodhshme ekspertësh, doli në konkluzionin që “nuk duhet lënë jashtë vëmendjes asnjë qytetar”) e gjithë koha mediatike ishte boshësi, humbur në dihatje. Kur ajo fjali shitet si pjesë programi, si alternativë zgjedhjeje e opozitës për të qeverisur vendin në një të ardhme të afërt, është tragjike të mendohet çfarë humnere njerëzore, profesionale dhe politike do prodhojnë këta “ekspertë teatri” nëse do u lihej buxheti i shtetit në dorë.
Pikat e shiut që i shoqëruan llafosjen ngjanin si djersë të ftohta të z. Basha, në mos bindjen e ndërgjegjes, që e pranon se nuk mjafton vetëm fjala për të qenë i pranishëm, por duhet që fjala të mbartë vlerë. Opozita, sot, dje dhe çdo ditë më parë nuk mundi dot të dalë nga bataku dhe qorrsokaku i politikës 30 vjeçare, që është marrë pafund me fyrje, me akuza, në përpjekjen për të ngjallur dëshpërimin dhe humbjen e shpresës tek njerëzit, duke shpresuar se pushtetin do ua dhurojë ky dëshpërim që mbjellin, në mungesë të vizionit. Në mbi gjysëm ore monolog, ligjërata e z. Basha përmbante këto fjalë: “Neglizhencë kriminale e qeverisë, krizë, kolaps, tragjedi njerëzore, dëshpërimin, revoltën, neverinë, gënjeshtrat, mashtrimet, nivel kriminal, mafioz, vjedhje, derr” etj.
Për çfarë duhet të vijë në pushtet një lider kur gjithë diskursin publik e zë fyerja, ngjallja e të keqes, negativizmi, pesimizmi dhe tragjizmi? Kur dikush sheh përpara vetes vetëm një kënetë, nëpër të do pllaquritet, përmes saj do kalojë. Nëse të sotmen e vlerëson bardh e zi, të nesërmen do e krijosh skëterrë.
Si përfundim, si alternativë frymëzuese për të ardhur në pushtet “Boni” i Shqipërisë ngopet me ngrënien e veshit të kryeministrit, ndërsa “Klajdi” i realitetit tonë pretendon të ushqejë qytetarët me cirkun e përditshëm në ekran dhe në prapaskenë janë cicëruesit e nënzëshëm që me zell kërkojnë rrotën e fitores.