Deputeti i opozitës parlamentare, Halit Valteri në një intervistë për Report Tv ka bërë një deklaratë të fortë ku tha se me përjashtimin e Klevis Balliut nga listat e PD, ai mund të futet në listat e partisë tjetër në opozitën e bashkuar, asaj të LSI-së. Valteri tha se Klevis Balliu ka qenë ish këshilltar i Ilir Metës dhe për ketë mendon se ai do të jetë në listat e LSI-së në zgjedhjet e 25 prillit 2021.
“Me gjithë respektin për Klevis Balliun mendoj se do gjejë vend tek LSI dhe do të jetë te listat e saj. Do doja që të ishte pasi Klevisi është një politikan i ri dhe punëtor. Ai ka qenë këshilltar i Ilir Metës para se të bëhej deputeti i PD-së”, tha Valteri. Në lidhje me procesin e votimeve të PD-së, Valteri i cilësoi si farsë duke i hedhur hi syve të shqiptarëve pasi në ato votime shkon lista gati nga kryetari i partisë.
“Fakti që u la jashtë nga elektorati i PD nuk dua të përfshihem fare pasi kam qenë vetë tek ajo parti dhe e di si funksionojnë gjërat. Atyre u shkon lista gati nga kryetari. Ky proces është si t’i hedhësh hi syve demokratëve pasi e dimë shumë mirë që në PD vota delegohet nga klanet brenda partisë dhe kush është më afër tyre fiton”, tha Valteri.