Nga ARTUR AJAZI/
Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha, duket sikur i ka hipur “samarit” së prapthi, dhe po kërkon me domosdoshmëri të mbetet faktor dhe i “përzgjedhuri” i shqiptarëve në zgjedhjet e reja parlamentare, me idenë se “boll më, u bënë 8 vjet pa vjedhur”. Asgjë të re nuk thotë, asgjë që do të mund ti “zgjonte” shqiptarët, asgjë që do të mund të “shkundte” organet e drejtësisë, por veç ankohet dhe akuzon. Lulzim, ti hyre në politikë rastësisht, dhe askush më shumë se ti, nuk e kishte të nevojshme të mësonte pak “shah” meqenëse ishte më pranë Doktorit. Kushdo që e luan shahun, sportin popullor më inteligjent, thotë se duhet paraprakisht të lexosh ca teori, dhe të mësosh 7 rregullat e arta të asaj loje. Por ti Lulzim, as e mësove “shah”-un si sport më vehte në politikë, dhe as nuk po e kupton, se si Edi Rama me daljet e tua publike, po e thellon fitoren e 25 Prillit 2021. E humbe shansin të mësoje pak “shah” Lulzim, për të kuptuar realitetin, për tu thelluar më shumë në prezantimin dhe hartimin e “programit të qeverisjes tënde” e cila më tepër ngjet me ato të Doktorit në 2005 kur kishte përballë Nanon.
Prej 7 vite e gjysëm, Lulzim Basha e ka lënë taborrin e tij, të ecë lirshëm në rrugën drejt marrëzisë. Kritikëve që nuk kanë qenë të paktë në Partinë Demokratike në këto 7 vite e gjysëm, ai i ka mbivendosur “programin” e tij skandaloz,pa shpalosur asnjë alternativë qeverisëse, pa prezantuar asnjë program ekonomik konkret, ndërkohë që Edi Rama, ka gati platformën e re politike, e cila ka për qëllim themelimin e demokracisë nëpërmjet reformimit institucional dhe kushtetues.Diskursi i ri politik i Lulzim Bashës,tashmë e ka përcaktuar rezultatin elektoral të zgjedhjeve të 25 prillit, duke e patur të sigurtë humbjen. Kjo për faktin, sepse artikulimi negativ ndaj problemeve dhe krizës, ka bërë të mundur që për herë të parë, opozita të marrë jo vetëm heshtjen por edhe braktisjen nga shqiptarët, të cilët i janë bashkuar më fort Edi Ramës në rrugëtimin e tij progresist, i cili jo vetëm po mobilizon qytetarët rreth alternativës qeverisëse për mandatin e tretë, por po diskretidon artikulimet boshe të kryetarit të demokratëve.
Si nuk mësove pak “shah” në politikë Lulzim, por u kape fort pas gjërave të vogla, prej të cilave duhet thënë se nuk “dole” keq. Të paktën shtove pasurinë, ama e bëre partinë dhe opozitën “lesh e li”. Por e veçanta e kryetarit të Partisë Demokratike qëndron edhe në faktin se, edhe pse në opozitë, edhe pse nuk ka asnjë program politik apo financiar, ka nisur një fushatë shfrenuese manipulimi, që tregon se për pushtetin e tij Lulzimi është i gatshëm të futet drejt çdo aventure shkatërrimtare. Ai ka ndërtuar një strategji politike boshe, duke dashur të bëjë fushatë mbi aku za dhe denoncime qesharake, por edhe duke krijiar tashmë luf tën e brëndshme në PD. E humbe shansin Lul, e humbe, nuk mësove pak “shah” në politikë, të paktën sa të “haje mbretin”, por mbete thjesht spektator në oborrin e SHQUP-it.