Për çdo fëmijë që shkelmon topin e futbollit ëndrra është gjithmonë që një ditë të arrijë të bëhet profesionist, dhe të luajë në nivele të larta, pse jo në Serinë A italiane. Megjithatë për të arritur deri aty ka gjithmonë një mur për t’u ngjitur. Marash Kumbulla, djali i një muratori të thjeshtë në Itali, me origjinë nga Shkodra, murin e tij e ngjiti drejt Serisë A, dhe jo vetëm por duke rrëmbyer dhe lavdinë europiane.
Dy vjet më parë, Kumbulla debutoi në Serinë B me Veronën, me skuadrën ku u rrit dhe u bë profesionist, dy vjet më pas shënon në arenën europiane, në një kompeticion madhor si Europa League, një gol fitues madje. Të kujton pak a shumë historinë e filmit të famshëm “Goal”, vetëm se heroi në këtë rast është shqiptar.
Ashtu si Santiago Nunez, dhe Kumbulla e ndoqi ëndrrën e tij. U bë profesionist, nënshkroi te një skuadër e madhe si Roma, dhe shënoi golin e tij, në një fitore që ndoshta nuk vlen Champions League-n si në film, por filmi i Kumbullës vazhdon ende të luhet dhe përpara do të jenë të tjerë mure për t’u ngjitur, por për një mbrojtës që di si të ndërtojë mure për të mbrojtur portën, kapërcimi i tyre nuk do të jetë i vështirë. Marash Kumbulla, në Zvicër, thjesht kaloi një tjetër mur dhe e bëri duke fluturuar drejt ëndrrave të tij.