Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo tha se Shtetet e Bashkuara e vlerësojnë lart marrëveshjen historike të arritur nga presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçic dhe kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti për normalizimin ekonomik mes dy vendeve. Në një deklaratë të lëshuar nga Departamenti amerikan i Shtetit theksohet se lidershipi i kryeministrit Hoti dhe presidentit Vuçiq, ndërsa thuhet se kjo çon në rritjen e vendeve të punës për të rinjtë e vendos një tonalitet të ri pajtimi në Ballkanin Perëndimor.
“Marrëveshjet e sotme hapin mundësi të reja për bashkëpunime më të gjera. SHBA-ja rikonfirmon mbështetjen për negociatat e vazhdueshme Kosovë-Serbi drejt normalizimit të marrëdhënieve mes tyre”, thuhet në deklaratë. Po ashtu, sekretari amerikan ka përgëzuar njohjen reciproke mes Kosovës dhe Izraelit si dhe vendimin e Serbisë për të vendosur ambasadën në Jerusalem. Marrëveshja e arritur në Shtëpinë e Bardhë parashikon bashkëpunim ekonomik mes dy vendeve. Palët janë zotuar se do të zbatojnë një sërë ujdish të arritura tashmë, siç është ajo për autostradën mes Kosovës dhe Serbisë, ajo për hekurudhat dhe për linjën ajrore.
Po kështu, në bazë të marrëveshjes, Kosova do t’i bashkohet “zonës së mini-Schengenit” te krijuar në 2019 e ku tashmë marrin pjesë, Serbia, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut ndërsa është pajtuar që brenda një viti të mos kërkojë anëtarësim në organizata ndërkombëtare. Serbia, në anën tjetër, është pajtuar po ashtu që brenda një viti të ndalë fushatën për tërheqjen e njohjeve te pavarësisë së Kosovës.