Ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali ka bërë një shkrim ironizues për Ilir Metën. Përmes një postimi në rrjetet sociale, Spiropali ka përdorur maskën si në mënyrë figurative, për të komentuar Metën. Ajo shkruan se presidenti Ilir Meta e ndërron maskën herë pas here, dhe sipas saj maska atij i bie kundër dëshirës. Më tej, Spiropali ndalet edhe tek nënshtetësitë e dhëna nga presidenti Meta, duke thënë se ai vendos një ‘maskë’ të re ose ndryshe ndryshon sa herë që shet një nënshtetësi tallavaje, ose çdo herë që shkel Kushtetutën me këmbë.
Postimi i plotë:
Maska Ra
Tregim Spiropalist
Presidenti i maskuar nuk mban maskë. Megjithatë, Presidenti maskën e do. Presidenti maskës i falet shtatë herë në ditë. Por, për fat të keq të tij, ose ndoshta për arsye antropometrike, Presidentit maskat i bien vetvetiu, kundër dëshirës së tij të pafundme dhe vullnetit të tij të palëkundur për të qënë gjithë kohën i maskuar.
Sa herë që Presidentit i bie ose i çirret një maskë, Presidenti vë një tjetër maskë. Kështu, nga maska te maska çdo herë që shet një nënshtetësi tallavaje, ose çdo herë që shkel Kushtetutën me të dy këmbët, ose çdo herë që thotë një broçkull me plot gojën, maskë mbi maskë, presidenti ynë as vetë nuk e di sa maska ka, sa maska përdor, sa maska ndërron. Kjo është arsyeja që sa herë Presidentit i bie ose i çirret maska, aq herë Presidenti maskën e ndërron, dhe për t’u justifikuar për maskën e rënë ose maskën e çjerrë, nis e uluret, nuk kam faj, maskën nuk e hoqa, Maska Ra.