Lionel Messi e ka zgjatur rekordin negativ personal në ndeshjet e El Clasicos, pasi as të shtunën nuk ishte në gjendje të shënonte gol kundër Real Madridit. Kapiteni i Barcelonës, Lionel Messi, nuk ka shënuar gol kundër Real Madridit në shtatë ndeshjet e fundit, apo që prej largimit të Cristiano Ronaldos. Reali e mundi Barçën 3:1 në Camp Nou të shtunën, me sulmuesin argjentinas që nuk ishte në gjendje të bënte shumë për katalonasit.

Hera e fundit kur Messi i shënoi gol skuadrës madrilene ishte në barazimin 2:2 në Camp Nou në fund të sezonit 2017/18. Kjo nënkupton se Messi nuk i ka shënuar Real Madridit që prej largimit të Cristiano Ronaldos në drejtim të Juventusit. Këtë sezon, Messi e ka shënuar vetëm një gol në La Liga, në ndeshjen e parë të sezonit kundër Villarrealit.

Që prej atëherë, 33-vjeçari nuk ka shënuar apo asistuar në katër ndeshje në ligë. Formë kaq të dobët Messi kishte përjetuar në vitin 2014. Ky fillim i dobët i tij këtë sezon vjen pas një verë të trazuar në Barcelonë. Pasi Barcelona ia dorëzoi titullin Real Madridit dhe pasi u turpëruar 8:2 nga Bayern Munich, Messi e dorëzoi një kërkesë me shkrim për t’u larguar nga klubi në verë, e cila u hodh poshtë menjëherë nga drejtuesit e gjigantit katalonas.