Të premten vonë në mbrëmje Presidenti Donald Trump, i cili është shtruar në spital për shkak të infektimit nga COVID-19, në një postim në Twitter shkruante, “Mendoj se po shkon mirë! Faleminderit të gjithëve”, u shpreh Presidenti Trump ndërsa shprehu mirënjohje.

Mjeku i presidentit Sean Conley tha të premten në mbrëmje se: “Jam i lumtur të raportoj se Presidenti është shumë mirë. Nuk është e nevojshme t’i jepet oksigjen shtesë, por në konsultim me specialistët kemi zgjedhur të fillojnë terapinë me ilaçin remdesivir. Ai e ka përfunduar dozën e tij të parë dhe po pushon i qetë”.
Komentet e tij u bënë të ditura nëpërmjet një deklarate të sekretares së shtypit të Shtëpisë së Bardhë Kayleigh McEnany.

Presidenti Trump u transportua me helikopter nga Shtëpia e Bardhë në një spital ushtarak aty pranë të premten pasdite, ku pritet të qëndrojë për të paktën disa ditë.

Përpara se të hipte në helikopter Presidenti i përshendeti me dorë disa here gazetarët që ndodheshin në vendngjarje dhe më pas u nis drejt Qendrës Kombëtare Mjekësore Ushtarake Walter Reed në Bethesda të shtetit të Marilendit. Ai do të punojë nga spitali në ditët në vazhdim.

“Me qëllimin për të treguar kujdes dhe shmangur çdo rrezik, sipas rekomandimeve të mjekut të tij dhe ekspertëve, Presidenti do të punojë nga zyrat presidenciale në Walter Reed gjatë ditëve të ardhshme”, thuhej në deklaratën e zonjës McEnany. Sipas zyrtarëve të Shtëpisë së Bardhë nuk do të ketë transferim të pushtetit nga Presidenti Trump tek Nënpresidenti Mike Pence./VOA