Mjeku infeksionist, Arben Pilaca gjatë një interviste televizive shpjegoi dallimet mes COVID-19 dhe viruseve të tjera. “Ajo që është e rëndësishme në sëmundjet infektive është epidemiologjia. Pra informacioni që kanë njerëzit për njerëzit që janë rreth tyre që jetojnë, punojnë me to. Ky është informacioni i parë . Pra ta dinë, kanë pasur këto dy javët, tre javët e fundit të tyre kontakte me persona të sëmurë me COVID-19 apo me familjarët e tyre. Kjo është një e dhënë. Ana tjetër ka të bëjë me shenjat, manifestimet klinike sepse deri tani pavarësisht se COVID-19 po na surprizon, ka vazhduar me surpriza edhe në të ardhmen do të kemi surpriza, flas në aspektin e mënyrave të sjelljes së tij dhe manifestimit klinik që bën. Por ajo që bën diferencën, do ta quaja të thjeshtë, nëse njerëzit kanë shenja të rrufës në rrugën e sipërme të frymëmarrjes që në veçanti shoqërohet me teshtitje, me dhimbje fyti, më një kollë të lehtë, me dhimbje koke. Do të thotë që teshtitja, rrufa nuk është futur në elementët simptomatikë apo klinikë të COVID. Pra nëse keni më shumë shenja që i përkasin një rrufe klasike, ato janë infeksione stinore’’, tha Pilaca.

Mjeku infeksionist sqaroi po ashtu se situata e rritjes të të infektuarve me COVID-19 në Shqipëri , është e ngjashme me atë që po ndodh në vendet e tjera, për shkak edhe të ndryshimit te stinës, ku infeksionet respiratore shtohen në këtë periudhë. “Rritja e shifrave që po ndodh në vendin tonë besoj që është në raport të drejtpërdrejtë me atë që po ndodh në vendet e hemisferës veriore. Ju e shihni që kjo shifër e rritjes së rasteve të infektuara konstatohet edhe në shtetet e tjera të Europës dhe kështu do të ndodhte edhe në Shqipëri. Arsyet janë disa. Arsyeja kryesore është që hapja e mëtejshme e aktivitetet jetësor sidomos i shkollave është një faktor i rëndësishëm në shtimin e kontakteve dhe transmetimin e infeksioneve. Nga ana tjetër, kemi kapërcimin e stinëve që profesionistët e kuptojnë që kalimin nga vjeshta në dimër, shoqërohet me ndryshime të klimës, ku temperatura, lagështira ndikojnë me shumë në ambiente të mbyllura ndikojnë në infeksione të përgjithshme të rrugëve të sipërme të frymëmarrjes, ndër to është edhe COVID-19. Arsyeja tjetër është edhe rritja e numrit të testimeve”, tha mjeku Pilaca.