Komisioni për Sigurinë Kombëtare miratoi marrëveshjen teknike ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Agjencisë së Mbështetjes dhe Prokurimit të NATO-s, për realizimin e projekteve të Kuçovës, të financuara nga programi i investimeve të NATO-s për sigurinë, vitet 2019-2022

Në drejtimin e kryetares Ermonela Felaj Komisioni për Sigurinë Kombëtare, në mbledhjen e sotme zhvilluar on line mori në shqyrtim projektligjin “Për Ratifikimin e marrëveshjes për mbështetje teknike, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Agjencisë së Mbështetjes dhe Prokurimit të NATO-s, për realizimin e projekteve të Kuçovës, të financuara nga programi i investimeve të NATO-s për sigurinë, vitet 2019-2022”. I ftuar për të bërë një përmbledhje shpjeguese të projektaktit, ishte Petro Koçi, zëvendësministër në Ministrinë e Brendshme

Në fjalën e tij, Koçi e konsideroi “interes strategjik kombëtar“ këtë marrëveshje dhe sqaroi se marrëveshja “ka për qëllim investimin nga NATO për implementimin e programit, i cili do të mundësojë modernizimin e bazës ajrore Kuçovë dhe kthimin e saj në një bazë ajrore taktike të NATO-s”.

Relatori për këtë marrëveshje Xhemal Qefalija, nga ana e tij e cilësoi shumë të rëndësishme marrëveshjen në fjalë pasi sipas tij, marrëveshja ka të bëjë me integrimin më tej të Forcave tona të Armatosura në NATO dhe është një investim të drejtëpërdrejtë, që do të mundësojë modernizimin e bazës ajrore të Kuçovës. Pas pyetjeve dhe diskutimeve anëtarët miratuan në parim, nen për nen dhe në tërësi projektligjin në fjalë.