Presidenti Ilir Meta ka sqaruar gjatë emisionit “Zonë e Lirë” në Tv Klan këtë të premte çështjen e nënshtetësisë që u jepet personave të ndryshëm. Kreu i shtetit tha se Presidenti vetëm nxjerr dekrete pas propozimeve ndërsa pasaportat dhe nënshtetësinë e jep Ministria e Brendshme.
“Ky këtu është një dekret që ka marrë kolegu juaj dhe një ish-miku im Baton Haxhiu. Edhe para një 15 vjetësh. Me procedurë të posaçme dhe me kërkesën e vet. Në dosje nuk figuron as institucioni përkatës i sigurisë kombëtare që duhet të kishte dhënë një konfirmim që përbën shkelje për sigurinë apo jo. Bëhet zhurmë për Kimin se mbron kufijtë e Kosovës. Unë Kimit, por Kimit ia kam dhënë sipas rregullave normale, kam marrë konfirmimet. Nuk jep Presidenti. Ai nxjerr dekretin pas propozimit që vjen nga dikush, pasi firmosin tërë ata njerëzit Pasaportat dhe nënshtetësinë e jep Ministria e Brendshme. Ministria nëse ka atje të nxjerr nëse ka diçka që nuk shkon”, tha Meta.
Presidenti sqaroi se pse ka dhënë pak nënshtetësi shqiptare. Kjo, pasi sipas tij, vendi është i vrojtuar për shkak të liberalizimit të vizave. Kreu i shtetit tha se është nën presion nga drejtuesit e institucioneve të Kosovës, pasi tha se nuk mund t’i lerë ata pa udhëtuar në vende që nuk e njohin shtetin e ri.
“Tani ju më thoni mua pse kaq pak. Shumë pak kam dhënë sepse dua të ruaj standardin e liberalizimit të vizave për Shqipërinë sepse ne vrojtohemi shumë më pak. Kam dhënë shumë pak sepse Asnjë President më parë nuk ka pasur këtë presion si unë. Thaçi më tha para tre vitesh që na kërkoi t’i japim shtetësi gjithë qytetarëve sepse po na izolojnë. Unë i thashë që po të ishte në dëshirën time ia jap të gjithëve, por nuk mund të heq liberalizimin e vizave”, tha Meta.