Nga Irsa Ruçi/

Mua më shqetëson shumë gjuha që lideri i opozitës përdor në komunikimin publik, veçanërisht ndaj Kryeministrit. I pëlqen apo jo, z. Rama është fytyra që e përfaqëson atë personalisht; na përfaqëson mua e ty e të gjithëve ne, është imazhi ynë në vend e më gjerë. Unë punoj ndershmërisht dhe nuk e pranoj të identifikohem me ato terma; dhe kryeministri që kam votuar për të drejtuar këtë vend më përmbush këtë pritshmëri të karakterit tim. Nëse dikujt i duken të përshtatshme fjalët “horr, kriminel, derr etj.”, le të dalë para pasqyrës dhe duke u kundruar t’ia shkarkojë vetes libidonë e të bjerë rehat.

Do jetë historia ajo që do shkruajë në një të ardhme për Shqipërinë e sotme me gjykimin e ftohtë dhe objektivitet, ndaj nuk mund të dalë askush të hedhë baltë mbi figurën e tij, sepse kjo do të thotë të hedhësh baltë mbi Shqipërinë, të përçudnosh punën dhe intelektin e miliona shqiptarëve brenda dhe jashtë kufirit, t’i akuzosh indirekt ata për zgjedhjen që kanë bërë. Është njësoj sikur t’i futesh secilit në shtëpi dhe t’i hakërrehesh; dhe banalitetin nuk ka më shqiptar që ta zgjedhë si alternativë në përditshmërinë e vet. Jemi lodhur aq shumë, saqë kemi nevojë për ideal, për shpresë, për ta parë Shqipërinë të ecë përpara, të mos ndalet të presë orën e atyre që zgjohen prej gjumi me ëndrra pushteti dhe përleshen për pushtet mes veti.

Për mua është e papranueshme gjuha e rrugës, që nuk sjell asgjë veç shterpërisë dhe dëshmon mungesë vizioni, mos-dëshirë për të dalë nga bataku i llumit ku shpesh zhytet politika. Nëse kërkojmë të renë, nuk duhet të ndalemi tek e vjetra. Madje, duhet refuzuar me mllef, përpara se të shtrojë rrugë e të kthehet në zakon komunikimi. E kemi gëlltitur për dekada me radhë agresivitetin politik, çjerrjet dhe fjalorin pa moral që merr përpara me soj e sorollop. Nuk mund të vazhdojë akoma më gjatë kjo traditë shpifjesh, duke pretenduar se pushteti merret sa më shumë shigjeton kundërshtarin.

Karrigen që e more qyl brenda PD-së z. Basha, mos prit të ta japë qyl një lider që luftoi e ju thyen edhe brinjët për ta pasur një ditë. Mos prit të ngjitesh në atë majë pushteti, duke drejtuar gishtin në plagë; pa treguar kurën, por duke përqeshur. Nuk është alternativë të dalësh çdo ditë në media, ulur nga karrigia e rehatshme e zyrës dhe të tundësh në ajër një copë letër duke thënë “haleluja”, gjeta shpëtimin e shqiptarëve. Propozimet konkrete duke marrë parasysh situatën në vend dhe vështirësitë nëpër të cilat kaloi vendi pas tragjedish të njëpasnjëshme, janë gjithmonë të mirëseardhura; por të flasësh në ajër, sikur shifrat të jenë bukë e djathë dhe të mos e marrësh parasysh realitetin është mos përgjegjshmëri.

Terreni është zgjidhja, vetëm ai të jep panoramën e qartë se çfarë ndodh me qytetarët, cilat janë hallet dhe mundimet e tyre; dhe këtë betejë politike do e fitojë kush është afër njerëzve, kush u troket në derë dhe u jep zgjidhje reale. Nuk fitohet pushteti duke u ngjitur me mastiç në karrige, për të bërë monologë të përditshëm.

Siç thotë një shprehje jona popullore “Mos i hyr valles, kur nuk di ta hedhësh”. Nuk merret pushteti duke ngjallur dëshpërim tek njerëzit, nuk fitohet as me zhurmën e portaleve që flasin me gjysmë të vërteta dhe nxijnë realitetin për të krijuar frikë dhe panik, me shpresën e “rrota – rrota – rrotacionit.”