Nga Lorena Fjolla/Bota është e gjunjëzuar para virusit Sars-Cov-2. Që prej dhjetorit të vitit të shkuar, në të gjithë botën janë konfirmuar 43 milionë raste dhe më shumë se 1 milionë viktima. Evropa po përballet me valën e dytë. Duke u gjendur në një situatë kaotike, shumë vende kanë bërë hapa pas, duke rikthyer izolimin. Por situata duket ndryshe në Kinë. Vendi ku shpë rtheu Covid-19, çdo ditë e më shumë është një hap pranë normalitetit të plotë. Pasi vala e parë u shua në pranverë, me Wuhanin e çliruar nga bllokimi më 8 prill, qeveria zbatoi një strategji: kontrollet vazhduan në qytete të mëdha, dhe zonat ku pati shpërthime u izoluan. Tashmë turizmi është në të njëjtat nivele si para pandemisë.

Mrekullia kineze/ Turizmi në nivelet para Covid dhe asnjë i infektuar
Nga ana tjetër, ndërsa superfuqitë më të mëdha në botë po vuajnë një rënie ekonomike, në Kinë po ndodh krejt e kundërta. Për të pasur një panoramë të plotë të situatës atje, Dritare.net komunikoi me Tinga Wang, kinezen që jeton prej 8 vjetësh në Tiranë.

Dritare.net: Çfarë po ndodh tani në Kinë? Si është situata atje? Tinga Wang: Situata në Kinë është shumë e mirë. Kemi shumë kohë që nuk kemi raste të reja, përveç atyre të importuara nga jashtë vendit. Para disa ditësh në një qytet të vogël perëndimor pati një rast të ri dhe deri sot paraqiten rreth 100 raste të reja atje. Besoj do të stabilizohet shumë shpejt edhe aty. Ishte një periudhë shumë e vështirë për Kinën, sidomos gjatë karantinës. Njerëzit nuk dilnin fare nga shtëpia. Të gjitha shërbimet apo produktet ushqimore i blinin përmes internetit.

Dritare.net: Çfarë tregon familja juaj, si ka ndryshuar jeta muajt e fundit? A janë kthyer ata në normalitetin para pandemisë? Tinga Wang: Prindërit e mi jetojnë në Shanghai, një vend me popullsi më shumë se 30 milionë banorë. Prandaj në disa vende si metro dhe autobus maska është e detyrueshme. Tani situata është kthyer në normalitet. Prindërit e mi shkojnë në pishina rreth 4 herë në javë, pa maska, sepse ata besojnë se situata është shumë sigurt. Madje ata bëjnë pazar pa maska. Ndërsa kinematë u hapën sërish.

Dritare.net: Cilat janë masat kufizuese qe janë ende në fuqi aktualisht? Tinga Wang: Në aeroporte ndërkombëtare, ata që kthehen nga jashtë Kinës, kanë një dalje të veçantë. Duhet të bëjnë teste dhe karantinën prej 14 ditësh në hotelet të cilat rekomandohet nga shteti. Kështu që situata është totalisht nën kontroll.

Dritare.net: Po për vaksinën, cilat janë zhvillimet e fundit në Kinë? Tinga Wang: Vaksina e Kinës po kalon fazën e tretë, dhe aktualisht është në fazën e përdorimit për grupet emergjente. Janë ndërtuar gjithashtu edhe 2 fabrika për prodhimin masiv të vaksinës. Deri në fillim të vitit të ardhshëm, parashikohet të prodhohen rreth 1 miliardë doza.

Dritare.net: A e quan Kina një fitore luf tën me virusin?Tinga Wang: Është një fitore e garantuar, si nga ana shëndetësore ku Kina e ka kontrolluar situatën tërësisht, ashtu edhe ana ekonomike dhe sociale. Nga ana ekonomike Kina është vendi i vetëm krahasuar me ekonomitë e mëdha që parashikohet të ketë rritje pozitive ekonomike. Vendet e tjera këtë vit, po përjetojnë një rënie ekonomike./dritare.net