Deputetja e Partisë Socialiste, Mirala Kumbaro ka folur për çështjen e paketës “Anti-Shpifje”, e cila siç u shpreh sot vetë kryeministrit Edi Rama do të kalojë në Kuvend. Gjatë një interviste në “Ilva Now”, znj. Kumbaro u shpreh se forcimi i rregullave të reja, vjen si nevojë për t’iu përgjigjur realitetit të ri të mediave online.
“Nuk është ligji anti-shpifje, por është ligji i mediave audiovizive. Kemi një realitet të ri, që është realiteti i mediave online. Kjo ka sjellë nevojën në të gjitha vendet, duke nisur nga Gjermania dhe Franca që në i kemi model në Europë deri në vendet e Ballkanit, për të rregulluar me rregullat të reja këtë hapësirë të re. Ky është synimi”, tha ajo.
Ajo u shpreh se situata në mediat online paraqitet tejet kaotike, duke shtuar se nuk kanë munguar as abuzimet me integritetin e njerëzve të thjeshtë.
“PS në të gjitha sjelljet e saj politike, parlamentare apo në media ka qenë në një pozitë bashkëpunuese. Kjo ishte nevoja dhe kjo u bë. Jemi dëshmitarë të një situatë kaotike sa i përket mediave online, të cilat nuk duhet të kontrollohen, por të rregullohen. Shkelen të drejta e autorit në mediat online, ka abuzime me individin, dhe në radhë të parë e pësojnë njerëzit e thjeshtë. Këto bëjnë nevojën e vendosjes së disa rregullave për të kuptuar se si duhet të sillemi mirë në këtë hapësirë online, por pa cenuar integritetin e individit’, tha ajo.
Ish-ministrja e Kulturës shtoi se kjo çështje do të kalohet në Kuvend brenda vitit 2020. Ajo shpjegoi se grupi i punës, i cili po harton rregullat e reja, ka propozuar që të ketë gjoba dhe shuma e tyre do të jetë në përpjesëtim të drejtë me xhiron e medias.
“Produkti final që do të dalë nga ky grup pune, do t’i dërgohet të gjithë aktorëve, të cilët gjatë gjithë procesit kanë shfaqur interes. Unë gjykoj që afati është gjëja më pak e rëndësishme, prioritet i kemi vënë cilësisë dhe bashkëpunimit me partnerët. Mund ta kemi për një javë, mund ta kemi për dy javë, unë gjykoj se brenda 2020 do të miratohet. Brenda 2020-s do të kemi testin final të dakordësuar brenda grupit të punës. Ne kemi sugjeruar në tekst, që gjobat do të jenë në përpjesëtim të drejtë me shifrën e xhiron totale, që bën portali, radio dhe televizioni. Për radiot dhe televizionin kemi Bordin e AMA-s, brenda kësaj kemi Këshillin e Ankesave. Ajo që në fakt ne synojmë si ndryshim, është që të rrisim shkallën e pavarësisë si të AMA-s ashtu dhe Këshillit të Ankesave. Ne propozojmë që Këshilli i Ankesave të jetë i pavarur aq sa Bordi”, shtoi Kumbaro.
Drejtorja e lajmeve në Euronews Albania, Ilva Tare pyeti znj. Kumbaro nëse me këtë projektligj do lejohet të kontrollohen llogaritë personale të përdoruesve në rrjetet sociale, ish-ministrja e Kulturës dha këtë arsyetim:
“Ky projektligj, sepse nuk është bërë ende ligj nuk prek në asnjë rast asnjë përdorues individual të internetit, asnjë bartës të llogarive personale në rrjetet sociale, as bloger, pot thuhet qartë e zeza mbi të bardhë: Ka të bëjë me mediat profesionale, të cilat deri pardje i kishim në versioni e shtypur, ku me zhvillimin e teknologjisë sot i kemi online. Ligji nuk bëhet për tre muaj, as për gjashtë muaj, ligji bëhet për një periudhë që t’i rezistojë kohës të paktën për dhjetë vite”, theksoi ajo. Euronews/