Trajneri i Barcelonës, Ronald Koeman, është shprehur i lumtur me paraqitjen e Lionel Messit të martën në Ligën e Kampionëve, pasi superylli argjentinas i ndihmoi Barçës ta nisë sezonin e ri në këtë garë me një fitore dominuese kundër Ferencvaros. Koeman i pushtoi ballinat pas humbjes së Barçës të shtunën kundër Getafes në La Liga, duke e kritikuar kapitenin se mund të bëjë më shumë në fushë.
“Mbase, në këtë kohë, paraqitjet e Messit mund të jenë më të mira”, pati thënë Koeman para ndeshjes kundër Ferencvaros në Ligën e Kampionëve. Messi u përgjigj duke e shënuar nga penalltia golin e parë të Barcelonës në fitoren 5:1 kundër skuadrës hungareze. Ai ia përgatiti golin edhe Ousmane Dembeles në këtë takim, duke e nxitur Koemanin ta lartësojë pas ndeshjes.
“Nëse ai luan siç luajti sonte, atëherë unë nuk do të kem ankesa për Leon”, tha trajneri holandez pas ndeshjes. “Ai punoi fort, shënoi nga penalltia. Nëse nuk shënon, ai i jep dy apo tri asiste, prandaj nuk mund të kërkojmë më shumë nga ai. Me një Leo madhështor, me dy asiste, ne po largohemi të lumtur nga këtu”, shtoi ai.