Senati i Universitetit të Tiranës ka miratuar rregulloren anti-Covid në lidhje me zhvillimin e mësimit në auditoret e tij për vitin akademik 2020-2021. Rregullorja, pritet të miratohet edhe nga Ministria e Shëndetësisë, ndërsa parashikon procesin e zhvillimit të mësimit nga hyrja e studentëve në ambientet e fakultetit deri tek qasja që do të ketë nëse konstatohet dikush pozitiv me koronavirus. Sipas saj, çdo fakultet duhet të afishojë në hyrje të godinës rregullat për tu mbrojtur nga koronavirusi, ndërsa urdhërohet që mësimi në klasa, takimet, mbledhjet dhe kontaktet në këto ambiente të bëhen duke patur parasysh situatën që po kalojmë. Studentët do të kontrollohen me matës temperature në hyrje të godinës dhe nëse konstatohet dikush me temperaturë të lartë ai izolohet në një ambient dhe njoftohen instancat përkatëse.
Në rastet kur dikush konstatohet me koronavirus Kur mësimi zhvillohet në auditor, në rastet kur një person (student, personel akademik, personel ndihmësadministrativ/administrativ) rezulton i prekur me infeksion Covid-19, personat që kanë qenë në kontakt të drejtpërdrejtë me të në institucion (kanë ndenjur pranë tij, kanë shkëmbyer matëriale), vetëkarantinohen. Personi i infektuar lajmëron institucionin nëpërmjet deklaratës së tij dhe më pas, grupi i punës i ngritur për menaxhimin e situatës Covid-19 në institucion evidenton personat që kanë qenë në kontakt të drejtpërdretë me personin e sëmurë. Në rastet kur personi i infektuar me Covid-19 është student, atëherë i gjithë grupi me të cilin ai zhvillon mësim kalon në mësim në distancë për 14 ditë, , në varësi të situatës së tyre shëndetësore. Në rastet kur personi i infektuar me Covid-19 është personel akademik dhe ka qenë në kontakt të drejtpërdrejtë me studentë, atëherë studentët kalojnë në mësim në distancë për 14 ditë, në varësi të situatës së tyre shëndetësore. Në rastet kur personi i infektuar me Covid-19 është një personel ndihmësakademik/administrativ, atëherë personat që kanë pasur kontakt të drejtpërdrejtë në zyrë kalojnë në punë në distancë, në varësi të situatës së tyre shëndetësore. Në të gjitha rastet ambientet dizinfektohen pasi lajmërohen strukturat përkatëse.
Hyrja dhe dalja nga ambientet e fakulteteve Studentët, personeli akademik, ndihmësakademik dhe administrativ hyjnë në ambientet e njësisë përbërëse vetëm nga hyrja qendrore. Studentët, personeli akademik, ndihmësakademik dhe administrativ hyjnë në godinë sipas orareve të përcaktuara dhe të publikuara më parë. Orari për hyrjen e studentëve rregullohet sipas një grafiku, hartuar nga administrata e njësisë në bashkëpunim me organet drejtuese të njësisë përbërëse. Studentët paraqiten në mësim duke respektuar me përpikmëri orarin e komunikuar nga struktura përkatëse. Në hyrjen qendrore të njësisë përbërëse, personi përgjegjës që monitoron hyrjen ka funksion dhe kryen veprimet e përcaktuara në nenin 14 të kësaj rregullore. Studentët hyjnë në godinë, pasi janë vendosur në radhë një nga një, me largësi të paktën 1.5 deri 2 m, duke u shmangur hyrje-daljet e përsëritura. Dalja nga mjediset e njësisë do të bëhet sipas rregullave, duke ruajtur distancimin fizik, nën mbikëqyrjen e personave përgjegjës të institucionit.
Sigurimi i distancimit fizik Distancimi fizik është të paktën 1.5 – 2 m. Në mjediset e jashtme ruhet distanca të paktën 1.5 – 2 m mes studenteve, duke vendosur shenja orientuese dhe duke afishuar informacion të dukshëm. Në auditor, laborator ruhet distanca prej të paktën 1.5 – 2 m mes studentëve. Nëse numri i studentëve është më i madh sesa hapësira e auditorit/laboratorit që do të duhej për të respektuar kushtin e distancimit fizik, mësimi zhvillohet duke e ndarë grupin në disa nëngrupe dhe duke e zhvilluar mësimin me disa turne, sipas një grafiku të caktuar. Përshtatja e orareve lidhur me shtimin eventual të turneve të mësimit do të bëhet në marrëveshje mes njësive bazë, organit drejtues përkatës dhe administratës.
Mbajtja e maskave Mbajtja e maskave nga studentët dhe personeli në mjediset e brendshme dhe të jashtme të njësive, (auditorë, laboratorë, bibliotekë, zyra, korridore, oborre rrethues) është e detyrueshme. Maska duhet të jetë një përdorimshe ose maskë prej tekstili, e cila duhet të lahet në 60 gradë me larës të zakonshëm. Në hyrjen e çdo mjedisi të mbyllur afishohet një kujtesë lidhur me mbajtjen e maskave. Nuk lejohet mbajtja e maskës në ambientet e jashtme të njësive përbërëse, në raste përjashtimore, kur përdorimi maskës dëmton shëndetin sipas rekomandimit të mjekut të familjes apo nga persona me sëmundje që i bëjnë të paaftë për përdorimin e maskës. Lejohet të hiqet maska apo të modifikohet përdorimi saj nga persona me humbje të dëgjimit dhe të folurit ose për personat gjatë komunikimit me ta, nëse nuk kanë mundësi të përdorin maskë të posaçme (transparente). Maska rekomandohet parimisht të mbahet edhe nga personat që kanë kaluar SARS COV-2 për t’u mbrojtur nga shkaktarët e tjerë infektivë respiratorë.
Qëndrimi dhe mësimi në auditor, laborator, bibliotekë Gjatë procesit mësimor, studentët dhe personeli akademik qëndrojnë në auditor, laborator, bibliotekë duke respektuar distancimin të paktën 1.5 – 2 m.Personeli akademik dhe laborantët gjatë procesit mësimor në një ambient, kanë përgjegjësinë dhe verifikojnë që në auditor dhe laborator të gjithë të jenë të pajisur me maskë dhe t’i mbajnë rregullisht ato si dhe të kontrollojnë respektimin e distancës ndërmjet studentëve. Hyrja dhe qëndrimi në bibliotekë lejohet vetëm për raste të domosdoshme sipas vlerësimit të punonjëses së bibliotekës duke respektuar distancën fizike. Punonjësi është përgjegjës për respektimin e distancës fizike, numrin e lejuar të studentëve dhe respektimin e rregullave për mbajtjen e maskës. Nuk lejohet konsumimi i ushqimeve në auditor, laborator, bibliotekë, korridore.
Lëvizjet në ambientet e brendshme Lëvizja e studentëve në auditorë, laboratorë dhe nëpër korridore, duhet të jetë e përcaktuar në mënyrë që çdo zonë të ketë numrin më të vogël të individëve që lëvizin në të. Studentët do të hyjnë vetëm në sallën e përcaktuar për ta, do të përdorin vetëm tualetin në korridorin ku ndodhet salla e tyre, pa u takuar asnjë moment me studentët e grupeve ose programeve të tjera. Rregullat për lëvizjen e studentëve duhet të jenë të afishuara në mjediset e brendshme të njësive përbërëse.
Nuk lejohen qëndrimet në korridore. Lëvizja brenda ambienteve, përfshirë korridoret bëhet duke respektuar distancën të paktën 1.5 – 2 m nga njëri-tjetri. Dezinfektimi dhe higjiena Studentët, personeli akademik dhe administrativ dezinfektojnë duart gjatë hyrjes/daljes në/nga auditori, laboratori, zyra, tualete duke përdorur mjetet dizinfektues për këtë qëllim në katin përkatës. Administrata siguron ujë të rrjedhshëm, sapun të lëngshëm, letra për fshirjen e duarve dhe xhel me përmbajtje alkooli 60% në ambientet e njësive përbërëse. Dezinfektimi i çdo auditori dhe zyre kryhet çdo ditë. Sipërfaqet e tavolinave në auditorë, laboratorë, zyra dhe pajisjet që ndodhen në to, dezinfektohen pas çdo aktiviteti mësimor dhe administrativ duke përdorur lëndë dezinfektuese. Sigurohet ajrosja e vazhdueshme e auditorëve, laboratorëve, bibliotekës, zyrave para, gjatë dhe pas veprimtarisë mësimore dhe administrative. Korridoret e mjediseve ku zhvillohet veprimtaria mësimore dhe administrative pastrohen/dezinfektohen çdo dy orë.
Tualetet pastrohen/dezinfektohen çdo 30 minuta. Dorezat, parmakët dhe sipërfaqe të tjera në mjediset pranë auditorit, laboratorit ku zhvillohet veprimtaria mësimore dhe administrative pastrohen/dezinfektohen çdo 30 minuta. Në përfundim të procesit mësimor, administrativ, ambjenti përkatës dezinfektohet dhe mbyllet për t’u përdorur ditën vijuese të mësimit/punës. Personeli nuk do të përdorë mjetet e punës së njëri-tjetrit. Studentët dhe personeli do të shmangin maksimalisht marrjen në institucion të objekteve personale të panevojshme. Në rast të përdorimit të një mjedisi (auditor/ laborator etj) nga një grup studentësh, përdorimi i mëpasshëm i këtyre mjediseve nga grupe të tjerë studentësh do të bëhet vetëm pas dezinfektimit të tyre.