Portieri i Bolognës U19, Marco Molla ishte risia e vërtetë e trajnerit Edi Reja në listën e futbollistëve që ka grumbulluar për tre ndeshjet e muajit tetor, pasi emrat e tjerë kanë qenë më herët pjesë e Shpresave kuqezi. I lindur në Itali dhe me prindër shkodranë, 18-vjeçari Molla ka nisur hapat e parë në futboll te skuadra e Pratos dhe në verën e 2018-ës iu bashkua Bolognës, ku pas një sezone me skuadrën U17, iu bashkua ekipit të të rinjve.

Në të shkuarën Marco Molla ka veshur fanellën e Italisë U17 për plot 14 ndeshje, teksa vlen të theksohet se ka qenë titullar në portën e të kaltërve edhe në Kampionatin Europian U17 dhe atë Botëror U17. Së fundi Marco Molla ishte bërë pjesë e Italisë U18, me të cilën numëronte tre ndeshje, më e fundit më 12 shkurt të këtij viti ndaj Francës, ndërsa te skuadra e të rinjve të Bolognës është një titullar i padiskutueshëm.

Megjithatë tani Molla ka vendosur të përfaqësojë Kombëtaren Shqiptare dhe i është përgjigjur pozitivisht thirrjes së Edi Rejës, ndërsa prej ditës së hënë do të vihet në dispozicion të tij për të punuar dhe për t’u rritur në krah të dy emrave si Etrit Berisha e Thomas Strakosha.