Është hapur kantieri i ndërtimit për të hedhur themelet e para për godinën e re të shkollës Sami Frashri në Tiranë. Së bashku me nxënësit ekselentë të shkollës dhe përfaqësues të bordit të prindërve, kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i shoqëruar nga ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu dhe ministri për Rindërtimin, Arben Ahmetaj, inspektuan punimet në kantier duke premtuar se do të jetë një ndër shkollat më të mira në Shqipëri.

“Kjo është një nga shumë shkollat, mbi 140 shkollat që ne po ndërtojmë së bashku me donatorët”, tha Ahmetaj. Sipas tyre shkolla do të jetë dy herë më e madhe, me 49 klasa, 8 laboratorë, dhe me mjedise moderne, dhe duke hedhur poshtë akuzat e PD-së, ata vërtetuan se shkolla do të ndërtohet në po të njëjtin vend.

“Sot kundërshtari ynë është injoranca, gënjeshtra, janë të pavërtetat, fryma e përçarjes që fusin ca politikanë, për të cilët nuk ka rëndësi nëse ka qenë tek “Samiu” apo jo, dhe thonë: Shkolla do shkojë në Paskuqan, se këtu do bëhet pallat. Ata duhet të turpërohen sot, është momenti të heshtin, të ulin kokën dhe nëse kanë gjak shqiptari, sot është momenti që edhe të skuqen”, deklaroi Veliaj. Ndërtimi i Sami Frashërit është realizimi i nje ëndrre, u shpreh ministri i Rindërtimit Arben Ahmetaj. Godina e re do t’ju japë mundësinë nxënësve të mos studiojnë më me dy turne.

Ndërsa mëngjesin e sotëm ish deputetja e PD-së Jorida Tabaku akuzoi qeverinë se shkolla u shemb pa asnjë plan, u shemb kur nuk ekzistonte asnjë projekt. Madje Tabaku tha se kjo shkollë nuk ndërtohet nga fondet e Bashkimit Evropian por nga paratë e taksapaguesve të Tiranës dhe të Shqipërisë. Gjimnazi “Sami Frashëri” u ndërtua në vitet 60 dhe pësoi dëme të rënda në kolonat mbajtëse nga tërmeti i 26 nëntorit 2019.