Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit prej mëngjesit të sotëm ka nisur prishjen e 20 objekteve në gjurmën e Unazës së Madhe, Loti i 3 në Astir. Duke u shprehur mirënjohjen skuadrave të punës që në orët e para të mëngjesit, kryebashkiaku Veliaj ka theksuar jo pa ironi se pasi hëngri 3 koka deputetësh bllokues dhe 3 vite nga jeta e qytetit, me ne fund nisi puna per Unazën e Madhe.
“Lirohet me ne fund edhe Loti 3! Pasi hëngri 3 koka deputetësh bllokues & 3 vite nga jeta e qytetit, hapet dhe fronti i fundit i Unazës së Madhe. Mirënjohje skuadrave që u mobilizuan që pa gdhirë & gjumë të ëmbël udhëheqësave të bllokimit që do shtriheshin te fadromat”, shkruan Veliaj.
Ndërkaq, në rrethrrotullimin kryesor të Unazës së Re, po punohet me ditë-natë, për të bërë të mundur që kjo vepër publike strategjike në hyrje të kryeqytetit të përfundojë sa më shpejt, për t’i dhënë Tiranës një “portë” dinjitoze të standardeve europiane dhe qytetarëve një aks lëvizjeje pa stres e shëmti si i derisotmi.