Ndarja e dekoratave dhe medaljeve, në këto 30 vite gjithmonë kanë pasur brenda subjektivitetin personal apo të lobuar nga ana e Presidentit apo stafit e rrethit të tij. Ka pasur shpesh polemika e pakënaqësi në lidhje me dekoratat e shpërndara nga krerët e shtetit. Që nga Sali Berisha, presidenti i parë postkomunist, i cili kur ndau “Pishtarët e Demokracisë” për pjesëtarët e Lëvizjes së Dhjetorit, shpërthyen polemikat se nuk kishte një ndarje lineare për të gjithë, por preferenciale.
E në fund të fundit, kjo me kalimin e viteve u pranua si diskrecion apo mundësi “fakultative” e Presidentit. Edhe me Rexhep Meidanin, i cili erdhi pas Berishës, edhe me Alfred Moisiun, Bamir Topin apo Bujar Nishanin, ka pasur disa herë raste pakënaqësish edhe polemikash për çështjet e dekoratave. Por atëherë, ka pasur një rregull; të shkruar edhe të pashkruar; që medaljet dhe dekoratat as nuk jepen në tym, as nuk jepen pa pasur një propozim dhe dakordësi institucionale e komunitare.
Si rregull duhet të ishin institucione; që mund të jenë dikastere, institucione të pavarura, njësi vendore, grupe organizatash etj që mund të sillnin propozimet, të cilat më pas shqyrtoheshin me kujdes dhe të ndiqeshin nga njerëz të stafit. Për shembull në vitin 2001, ministri i Industrisë dhe Minierave i kohës, Mustafa Muçi, propozon disa nga inxhinierët më të mirë të vendit në fushën e nxjerrjes së mineraleve dhe hidrokarbureve për t’u dhënë dekoratën “Mjeshtër i Madh”, dekoratë që përgjithësisht përkthehej në para, pasi këta persona merrnin më pas pension suplementar apo të veçantë me vendim qeverie.
Presidenti i Republikës i asaj kohe, disa prej personave nuk i dekoroi me argumentin që e kishte furnizuar stafi që një pjesë kishin marrë Urdhrin e Punës në kohën e Komunizmit. Duket një detaj burokratik, por tregon se ka pasur një farë site, apo kontrolli, edhe pse në një farë mënyre hapnin polemika. Në atë kohë Presidentët, nga ana kushtetues,e përveç dekoratave kanë pasur edhe pushtet të rëndësishëm ekzekutiv, pasi si krerët të KLD ndikonin në emërimin e gjyqtarëve, prokurorëve, transferimin e tyre, shkarkimin e tyre, lëvizjet paralele, etj, etj.
Sot kreu i shtetit, sipas Kushtetutës nuk i ka më këto kompetenca, edhe pse në disa institucione të drejtësisë ka ndikimin e rëndësishëm. Por, ajo që ka rënë në sy tek Ilir Meta, përveç politizimit të dekreteve, gjuhës publike të ashpër, anshmërisë politike, është edhe banalizimi i dekoratave që ai ka dhënë dhe po jep çdo ditë pa pushim. Dekorata për figura historike që i kanë marrë të gjitha nderimet dhe nuk janë gjallë, dekorata për figura historike që kanë vdekur, por edhe pse janë nderuar i ka dhënë një medalje të një shkalle më të lartë, e ajo çka bie në sy është se po shpërndahen dekorata papushim për njerëz që në fund të fundit, edhe pse me kontribute nuk se janë “specialë” për të përfituar medaljet e nderit.
Ngase ata gjithmonë rezervohen në formë e përmbajtje për një numër të kufizuar dhe jo në masë. Ilir Meta, në fakt po shpërndan dekorata “rifuxho”; shkon në rrethe, fshatra apo qarqe dhe i “derdh” dekoratat sikur të kishte ngarkuar një Scoda riportabël dhe ngre karrocerinë e i shkarkon sikur të ishin dengje. Për këto dekorata, kanë shpërthyer polemika, ka pasur kritika e sulme ndaj Metës nga qarqe opozitare. Realisht, duhet thënë se i gjithë ky instrument nuk është gjë tjetër, veçse një logjikë e pastër elektorale.
Nëpërmjet “institucionit të dekoratës, Presidenti po tenton të krijojë një lidhje klienteliste, që LSI nuk ka mundësi ta bëjë me vende pune. Edhe pse duket si një metal pa vlerë, në një pjesë të rëndësishme medaljet përkthehen edhe pensione dhe benefite financiare, megjithëse ka procedura të tjera. Por dekorimi i sportistëve, publicistëve, bujqve, blegtorëve, poetëve, e shumë profesione në masë, duket qartë se është një logjikë e pastër politike, e tipit: “një dekoratë, një votë”. Në fakt është edhe më shumë, pasi një person që dekorohet ka një familje që ka edhe më shumë vota se një, pa folur për rrethin e influencës. GazetaShqip/