Nga Adriatik Doçi

‘Argumenti’ i vetëm i Ylli Pangos në reagimin e tij toksik mbi investigimin rreth skandalit të Ilir Metës me dhënien e nështetësive, ishte theksimi i mbiemrit tim, duke i hequr dhe shtuar prapashtesa, si të ishin mbërthecka! Pjesa tjetër përmban të pavërteta banale dhe fyese, nuk e di nëse nga padija, pija, ligësia, turbullirat e brendshme apo që ta fusë Meta në listat e LSI-së. I nderuar, Z. Pango! Unë këtë mbiemër kam të trashëguar prej shekujsh, shumë i përhapur në Veri të Shqipërisë. Nuk më ka shkuar kurrë ndërmend ta ndryshoj, siç mund të keni ndryshuar ju partitë, pasi nuk vuaj nga komplekse sinonimesh dhe për më tepër mendoj se mbiemri nuk mund të shërbejë si bazë vlerësimi apo gjykimi nga njerëzit normalë.

Po le të ndalemi tek pretendimet në reagimin tuaj. Ju më konsideroni pjesë të një sulmi të pretenduar të gazetës TemA ndaj gruas tuaj, për t’ju goditur juve. Kjo është e pavërtetë. Unë punoj vetëm për Report TV dhe Shqiptarja.com. Kam bërë një investigim normal mbi mekanizimin e dhënies së nështetësive nga presidenti Ilir Meta. Gjatë verifikimeve kam dëgjuar për herë të parë për emrin e saj. Që në krye ju e shpallni shpifje investigimin, ku mes 382 emrave, përmendet edhe emri i bashkëshortes tuaj, e cila ka fituar nënshtetësinë me procedurën VIP. Nuk ka bord gazetarësh dhe etike, gjykatë kombëtare dhe ndërkombëtare që certifikon si shpifje një raportim bazuar vetëm në fakte dhe pa përzierje emocionale. Jam trajnuar me qindra mijëra orë për këtë punë. Faktet janë këto: Gruaja juaj e ka fituar nënshtetësinë shqiptare bazuar në pikën 7 të nenit 9 të ligjit për shtetësinë të vitit 1998. Sipas kësaj pike, e fitojnë shtetësinë ata që nuk plotësojnë kushtet ligjore, por që përbëjnë interes kombëtar (lexoje ligjin). Pra, e vërteta është se zonja nënshtetësinë e ka fituar në këtë formë.

A përbën gruaja juaj interes kombëtar?! Nëse po, cili autoritet e ka shpallur të tillë dhe për çfarë veprimtarie? E ka shpallur Ilir Meta me kokën e tij, i cili ka mbajtur fjalim edhe për nder të Klement Balilit? Ju thoni se i plotësonte kushtet. Unë jam i prirur ta besoj këtë dhe kam bindjen se zonja e meritonte shtetësinë shqiptare prej vitesh, me procedura normale. Por, kur i plotësonte kushtet ligjore, pse nuk mori nënshtetësinë me procedurë të zakonshme, me dosje që përgatitet nga Ministria e Brendshme, si të gjithë ata qindra të huaj që kanë plotësuar kushtet, por e fitoi nënshtetësinë si personalitet që përbën intetes kombëtar?!

Apo ju mendoni se ndritni kaq shumë sa që kushdo që ju afrohet rrezaton nga drita juaj dhe bëhet kështu aset kombëtar?! Ky është paradoksi i madh i reagimit tuaj. Edhe i plotësonte kushte, edhe nështetësinë e ka marrë sikur nuk i plotësonte! Për etiketimet e tjera si ‘gruaja kriminele’ etj., janë dekuksione tuajat në ndërtimin e një mjegulle gënjeshtre për të shpallur si shfipje një raportim të bazuar në dokumente zyrtare. Në lajmin e publikuar nuk ka asnjë etiketim të tillë, asnjë parashtesë apo prapashtesë keqësuese, vetëm raportim i zhveshur nga çdo emocion. Nuk kemi shkruar asnjë fjalë për veprimtarinë e zonjës, pasi nuk kemi asnjë fakt për ta provuar dhe as nuk jemi investuar në këtë drejtim. Rilexoje shkrimin. Në pesë raportime të gjata për skandalin e nështetësive, për bashkësjorten tuaj janë vetëm dy fjali. Nuk kemi përmendur as historinë tënde të bujshme, as se çfarë Ambasada Amerikane në Tiranë i ka raportuar Departamentit Amerikan të Shtetit për ju dhe as se çfarë keni bërë kur ishit ministër.

Si përfundim: A është zonja e përmendur bashkëshortja juaj?! Po. A e ka fituar nështetësinë si sipas pikës 7 të nenit 9 të ligjit, pra jo si të zakonshmit, por si aset kombëtar? Po. Të tjerat janë pallavra dhe ‘mish’ për ‘qentë e Facebook-ut’.