Nga Alfred Peza/
Po jetojmë në kohë të çuditshme, të cilat deri dje as që i kishim menduar e jo më të na përfshinin për tu bërë pjesë e një bote, ku duket sikur po bien të gjithë kufinjtë e derisotëm. I sheh sesi bien çdo ditë jo vetëm kufijtë konvencionale, zyrtarë, të dukshëm e fizik. Jo vetëm në lindje, por edhe në perëndim. Jo vetëm në botën e prapambetur, por edhe atë të qytetëruar. Jo vetëm në Europë, por edhe në SHBA. Jo vetëm në Ballkan, por edhe në Shqipëri.
Është ndoshta për këtë arsye se përse sheh opozitën tonë që të mos prodhojë më produkte politike dhe elektorale, por të bëjë gjyqe publike duke ngritur akuza, dhënë pretenca dhe vendime të formës së prerë. Ndërkohë që bën gjithçka, për të mos lejuar ngritjen e sistemit të ri të drejtësisë dhe reformimin e institucioneve të saj. E sheh median që të bëjë gjithnjë e më shumë politikë, në vend të edukimit, informimit dhe argëtimit të opinionit publik. I sheh partitë që të funksionojnë si redaksi lajmesh dhe disa prej redaksive të tyre, në trajtën e selive të partive politike.
Liderët e opozitës nuk kanë më programe alternative për të ardhur në pushtet. Por, kanë gjithmonë një çështje të drejtësisë, për ta bërë politike. Kanë gjithmonë gati një temë për ta shndërruar, nga objekt hetimi për organet e specializuara dhe agjensitë ligjzbatuese, në mish për topat e tyre politikë. Kanë një politikan të mazhorancës apo përfaqësues të pushtetit, për ta linçuar përmes metodave moderne të inkuizicionit mesjetar. Kanë një dosje për ta shkatërruar përpara opinionit publik, për ca like më shumë, me shpresën se ato nesër do të konvertohen në ca vota më tepër.
Tashmë kemi një listë të gjatë çështjesh, që kanë pësuar këtë metamorfozë përgjatë viteve të fundit, pas miratimit të reformës në drejtësi. Dikur liderët tanë opozitarë, komandonin prokurorinë dhe gjykatat dhe gështenjat i nxirrnin me mashat e tyre. Kundërshtarët dhe armiqtë personalë e politikë i “ekzekutonin” me firmën e prokurorëve dhe gjyqtarëve të emëruar prej tyre. Kur sistemi i vjetër ra, filluan të mereshin vetë, nga “Babalja” e deri tek çështja e inceneratorëve të djegies së plehrave, që është rihapur e po debatohet egër ditët e fundit.
Dikur gjobat i vinin përmes prokurorëve dhe gjyqtarëve politikë dhe të korruptuar. Sot, i vendosin vetë sepse ato dolën jashtë sistemit, nga procesi i vettingut. Presionin ia bëjnë nga selitë e partive, nga podiumet e konferencave të shtypit, nga rrjetet sociale dhe mikrofonat e mediave tradicionale. Për tu mbështetur fuqimisht nga propaganda, nga ushtritë e maskave virtuale dhe “sindikata” e opinionistëve të financuar prej tyre. Ka analistë që bëjnë zyrtarin e opozitës e zyrtarë të opozitës që bëjnë reporterin e terrenit. Në studio e panele, ka “ekspertë të pavarur” që e bëjnë opozitën, edhe më me zell se ish deputetët e saj.
E sigurtë është që të gjithë bashkë, nuk kanë asnjë qëllim për daljen e së vërtetës. As triumfin e të mirës publike. Aq më pak dhënien e ndihmës, apo të pjesës së tyre të kontributit, për vendosjen e drejtësisë. E fundit gjë që duket sikur mendojnë, është ti japin një dorë konsolidimit të shtetit të së drejtës, ndarjes së pushteteve dhe ruajtjes së balancës së tyre, integrimit europian, vlerave dhe standardeve të demokracisë. Gjithçka e kanë thjeshtë dhe vetëm në funksion të orekseve të tyre, që burojnë nga llogaritë e vogla dhe banale personale, të lojës për pushtet.
Për opozitarët tanë vlera dhe antivlera e njerëzve, e çështjeve, e fenomeneve, e kauzave dhe e temave që trajtohen e debatohen publikisht, nuk ka më asnjë lidhje me të mirën dhe të keqen e përbashkët. Me të mirën dhe të keqen, vlerat dhe antivlerat për vendin, shtetin, pushtetet dhe shoqërinë. Aspak. Sepse e mira personale e liderëve politikë, nuk ka lidhje më me të gjitha këto. Halli i sotëm personal i Sali Berishës, Lulzim Bashës, Ilir Metës dhe Monika Kryemadhit, ka kohë që po shitet prej tyre si një hall shumë i madh kombëtar.
Kjo mënyrë sjellje, kjo qasje, kjo tendencë, kjo kulturë, kjo mënyrë e të bërit të gjërave, po rrëzon çdo kufi, çdo rregull, çdo rend të të bërit të gjërave në një demokraci funksionale. Ndaj e sheh sot Lulzim Bashën ndërkohë që tenton të pengojë ngritjen e sistemit të ri të drejtësisë, që të sillet si hetues, prokuror e gjyqtar. E sheh Kryetarin e Shtetit që të sillet si Kryetar Partie. I sheh partitë e tyre që të sillen si media dhe mediat, si politikë.
Mund ti bësh të gjitha këto dhe të besosh po vetë, se në këtë mënyrë po bën në fakt opozitë. Nuk ka asnjë problem. Kjo është mrekullia e lirisë. Por mos u ankoni në mëngjesin e 26 prillit 2021, se përse shqiptarët do ta trajtojnë opozitën si çdo gjë tjetër, përveçse jo si një alternativë reale pushteti!