Rreth 522 mjekë, 1,130 infermierë dhe 134 epidemiologë përfituan bonusin 1,000 euro mbi pagën mujore, shpërblimin sipas punës së kryer me pacientët me COVID-19. Për personelin shëndetësor në vijën e parë të luftës qeveria përcaktoi shpërblim financiar 1,000 euro mbi pagën mujore për personelin shëndetësore dhe 500 euro mbi pagën për stafin mbështetës.

“Rreth 522 mjekë, 1,130 infermierë dhe 134 epidemiologë përfituan bonusin 1,000 euro mbi pagën mujore/ shpërblimin sipas punës së kryer me pacientët me COVID-19. Po ashtu, 739 staf mbështetës kanë përfituar bonusin 500 euro/shpërblimin, si dhe janë punësuar 150 personel shëndetësor për të siguruar rritjen e kapaciteteve të burimeve njerëzore në spitalet Covid”, bëhet e ditur nga të dhënat e publikuara nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë.

Duke patur parasysh përhapjen e COVID-19 në nivel ndërkombëtar, Ministria e Financave siguron se në projektbuxhetin e vitit 2021, janë parashikuar fondet buxhetore për përmbushjen e objektivit strategjik për të garantuar mbulim shëndetësor për të gjithë qytetarët, mbrojtje të personelit mjekësor dhe forcimin e hetimit epidemiologjik dhe diagnostikimit në kohë të pacientëve si një masë për parandalimin e përhapjes së COVID – 19.