Dy inxhinierë tekstili, Moza dhe Sulo, e kishin filluar punën në Kombinatin e Tekstileve para viteve ’90. Kur shumë nga kolegët e tyre ndryshuan profilet, ata krijuan një kompani për prodhimin e veshjeve duke e vijuar profesionin e tyre.

Ministri i Shtetit për Mbrojtjen e Sipërmarrjes, Eduard Shalsi u ndal sot në këtë kompani, në kuadër të turit që po ndërmerr për t’u njohur me problemet e biznesit në situatën e krijuar prej COVID-19.

“Teksa i shikoje të shpjegonin proceset e prodhimit të veshjeve të punës për eksport, nuk i dalloje nëse ishin të punësuar apo pronarët e kompanisë. Pandemia kishte krijuar jo pak probleme dhe mbajtja në punë e të gjithë punonjësve kishte qenë preokupimi i tyre kryesor”, u shpreh ministri Shalsi.

Sipas ministrit, rënia kishte qenë rreth 300%, por pavarësisht kësaj ata arritën të vijonin bashkëpunimin me kompanitë e huaja.

“Mbështetja e qeverisë për punonjësit ishte një masë, e cila i kishte lehtësuar shumë, ndërkohë që dhe shumë nga shërbimet e institucioneve të ndryshme ishin përmirësuar”, deklaroi ministri Shalsi.