Presidenti Ilir Meta ka paralajmëruar kreun e qeverisë Edi Rama për kapjen e shtetit dhe cenimin e standardeve të zgjedhjeve.
“Ta dijë mirë djali i Kristaqit, do jem në krye popullit shqiptar, kur na vjen hasmi tek dera na këndojnë pushkët nëpër kulla”,- tha Presidenti Meta. Kreu i Shtetit deklaroi se vendi është kapur nga një klikë oligarkësh që vendosin për çdo gjë duke nisur nga ekonomia dhe deri të vendimet e drejtësisë. Teksa u pyet se kush do ta garantojë votën për shqiptarët më 25 prill, Meta dha fjalën se nëse nuk respektohet Marrëveshja e 5 Qershorit, e diela e 25 prillit do të kthehet në referendum.
“Zotëria të bëjë çfarë të dojë tani. Votën për shqiptarët do e garantojë populli shqiptar. Presidenti do të jetë në krye të popullit shqiptar. Populli shqiptar do të marshojë drejt kutive të votimit më 25 prill. Sado të përpiqen, ta pengojë, ta intimidojë, ta frikësojë, kjo gjë ka përfunduar. Mos ki merak se populli ka ato rregullat e veta të lojës. Kështu ishte edhe Markosi, por kur doli populli i tha ‘O vagabond, nuk të thamë të shkosh deri këtu. Merr helikopterin dhe… Vazhdo andej se të lame në dorë të popullit’. Kur del populli në rrugë, nuk ka diktatorë”,- tha Kreu i Shtetit në intervistë për Ora News.
I pyetur nëse pjesëmarrja do të jetë masive, Meta u shpreh se “do të jetë pjesëmarrja më e madhe në historinë e Shqipërisë”. “Të jap fjalën. Me not do vijnë nga Italia. Do vijnë në këmbë shqiptarë nga Greqia, nga e gjithë Shqipëria, nga kudo. Të gjithë do vijnë. Nëse nuk respektohet 5 qershori dhe vazhdohet me këtë kështu, do të jetë referendum”. Meta tha se do të kthejë në Kuvend ndryshimet ligjore në Kodin Zgjedhor. Kreu i Shtetit u shpreh se do të dëgjojë thirrjen që i bënë Partitë Popullore Eurpiane për të mos dekretuar aktet ligjore të qeverisë “Rama”. “Do dëgjoj thirrjen e PPE për te kthyer ndryshimet ne Kodin Zgjedhor. Ata me kane bërë një thirrje dhe unë jam i detyruar ta dëgjoj”,- tha Presidenti.
Meta u shpreh më tej se ajo që ka ndodhur me marrëveshjen e 5 qershorit është akt diktatorial. “Presidenti ka qenë dhe do mbetet gjithmonë në mbrojtje të Kushtetutës dhe popullit shqiptar. Nëse nuk do të ketë reflektim, Presidenti është i vendosur me një vullnet të hekurt në shpartallimin e kësaj përpjekje për vendosjen e një junte. Presidenti ka disa vjet që paralajmëron për plotësimin e kushteve për integrimin europian. Ka qenë Bundestagu, institucioni më i rëndësishëm në rrugën e integrimit dhe sigurisht ky akt kaq i shëmtuar që ndodhi dje, duke shkelur një marrëveshje, e cila në vetvete nuk ishte një gjë e madhe pasi nuk duhet të vihen në diskutim. Ajo mori jehonë ndërkombëtare, do të thotë se është shumë e qartë që akti i djeshëm synon të hedhë në erë pluralizimin politik në Shqipëri dhe vendosja e një muri kriminal në rrugëtimin e Shqipërisë drejt BE. Për këdo që i ka sytë në ballë e kupton që Marrëveshja e 5 Qershorit është shkelur. Kjo që ka ndodhur është një ftesë për tu rikthyer në diktaturë, për t’u rikthyer në fundit e viteve ’80 kur për fjalën e lirë varej poeti Havzi Nela”,– deklaroi kreu i shtetit.