Ministri i Shtetit për Mbrojtjen e Sipërmarrjes, Eduard Shalsi vijon turin e takimeve me biznesin në vend. Ministri u ndal në kompaninë “ItalConstruzioni”, e cila prodhon impiante industriale me konstruksione metalike të një cilësie të lartë për eksport.
“Kombinimi i eksperiencës së pazëvendësueshme të Andreas nga Italia me të përkushtuarën e palodhur, Ornela nga Shqipëria, kishin krijuar jo vetëm një biznes të suksesshëm por edhe një familje simpatike. Me punonjës të kualifikuar ata prodhonin impiante industriale me konstruksione metalike të një cilësie të lartë për eksport”, u shpreh ministri Shalsi.
Ministri bëri të ditur se reformat e qeverisë për përmirësimin e shërbimeve doganore dhe portali e-Albania po vlerësohen pozitivisht nga biznesi.
“I kënaqur që dëgjoja përmirësimin e shërbimeve doganore dhe sidomos për mirëfunksionimin e portalit e-Albania, i cili e ka lehtësuar shumë të bërit biznes në Shqipëri. Gjithashtu, shumë i vëmendshëm ndaj disa problematikave që kishin të bënin me energjinë dhe shkollat profesionale për të cilat këmbyem ide të frytshme”, u shpreh Shalsi.