Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu solli sot në vëmendje shembullin e transformimit të Poliklinikës së qytetit të Lushnjës, falë investimeve në shëndetësi. “Shembujt e nxjerrjes së shëndetësisë nga rrënimi i gjen sot në çdo qytet të Shqipërisë, falë programit tonë të investimeve, në qendra shëndetësore dhe spitale, program që dalëngadalë por pa u ndalur, e ka ngritur sektorin nga rrënojat e degradimit disadekadësh”, tha Manastirliu.
Poliklinika e qytetit të Lushnjës, sipas saj, “është një shembull i tillë, që nuk do shumë fjalë”. “Atje ku kishte një ngrehinë me gjendje skandaloze, sot ka një institucion shëndetësor me standarde bashkëkohore, me kushte që i kanë rikthyer dinjitetin mjekëve dhe infermierëve që u shërbejnë qytetarëve lushnjarë, ashtu siç ata e meritojnë”, tha Manastirliu. Ministrja theksoi se “kemi ende shumë për të bërë për ta bërë transformimin të ndihet në çdo cep të Shqipërisë dhe do ta kryejmë hap pas hapi, të vendosur, me punë dhe pa llafe”.