Nuk ka një qëndrim zyrtar, por Partia Demokratike dhe Lëvizja Socialiste për Integrim e kanë ndarë rrugën e parafushatës; Secila të mobilizohet në bazë me qëllim maksimalizimin e votës. Flitet vetëm për marrëveshje pas zgjedhjeve të 25 Prillit ku Monika Kryemadhi rreket të theksojë në çdo dalje të saj se nuk do të ketë koalicion me PS-në. Qëndrimi dhe gjuha politike është individuale edhe pse vendimet politike si opozitë i marrin bashke.
Burime për gazetën “Si” thonë nga dy partitë (PD-LSI) se deri me tani secila prej tyre po punon veças në bazë. Kryemadhi ishte në Durrës për të zgjedhur ekipin drejtues të LSI-së, duke konfirmuar paralelisht se do të dalë forcë e parë politike në vend, ndërsa Lulzim Basha ka shpërndarë njerëzit në bazë për të përfunduar procesin e nisur prej muajsh; atë të filtrimit të kandidatëve. Rrugët për dy partitë në opozitë janë të qarta. Politikisht, Basha e shmang përgjigjen sa herë që pyetet në konferenca për shtyp se çfarë do të bëjë me LSI-në; pra do të dalin me një listë unike e imponuar nga Kodi i ri Zgjedhor (për të cilën Rama tha se nuk do të ketë ndryshim edhe pas kthimit nga Meta të ligjit), duke e fokusuar vëmendjen tek problematika e ditës.
Qëndrimet shtyhen dhe po aq edhe përllogaritjet elektorale, por në bazë puna vijon paralelisht. Basha mund ta ketë të qartë rrugën me LSI-në, por mbetet jo e tillë me aleatët e tij. Fatmir Mediu, kryetar i PR-së, tha dy ditë më parë se me një formule të ndryshuar të koalicioneve edhe e djathta duhet të rishikojë mundësinë se si të maksimalizojë votën. Thënë më shkoqur, a do të jenë aleatët në listat e PD-së?
“Përballë shqiptarëve ne duhet të dalim me një mënyrë që garanton maksimizimin e votave nga e majta në të djathtë, sepse është koalicion ndryshe nga herët e tjera, sepse kemi subjekte të majta dhe të djathta, 140 kandidatë rrinë pak ngushtë për një koalicion kaq të gjerë, por nuk them vetëm nga cilësia e kandidatëve, por nga ajo çka kërkon elektorati ne duhet ta plotësojmë këtë mozaik për të marrë maksimumin” – u shpreh Mediu. Burime për gazetën “Si” thonë se deri me tash po diskutohet për futjen në listat e PD-së (ashtu si edhe katër vite më parë) të Fatmir Mediut, Nard Ndokës dhe Dashamir Shehit. Nuk ka ende një vendim për PBDNJ-në, PDIU-në dhe PAA-në e Agron Dukës
Në anën tjetër në lojë është edhe LSI-ja në diskutime edhe ajo ndoshta me krijimin e një koalicioni më vete kur mund të bashkëpunojë me emra të tjerë aleatësh në listat e saj. Formula nuk është qartësuar ende, ka shumë diskutime mes ekspertësh, pa vendim përfundimtar deri tani. Vetë zyrtarët e lartë të LSI-së këmbëngulin se në gjithë këtë histori diskutimesh vetëm pakt me Ramën nuk do të ketë.
“Jo vetëm marrëveshje për qeverisjen e pas 25-prillit, por që prej momentit kur LSI shpalli qëndrimin në opozitë, arriti marrëveshje në frontin opozitar. Aktualisht jemi në detajimin e alternativës qeverisëse për të shkuar më pas jo vetëm te programi real dhe konkret, por edhe për të bërë diferencën thelbësore të asaj që sot është në qeveri dhe asaj që do të vijë,” u shpreh zv/kryetari i LSI-së, Luan Rama. Ndërsa Klajda Gjosha ishte me e drejtpërdrejtë në një intervistë televizive kur shprehu mendimin e saj se LSI-ja do të ishte mirë që të dilte me siglën e saj në zgjedhjet e ardhshme parlamentare.
Një e mire që sa duket është edhe për siglën e PD-së e cila në përllogaritjen e një listë fituese për të i shkonte ngushtë “oreksi i LSI-së” për të futur minimalisht 20 kandidatë të sigurt nga kjo parti pa llogaritur pastaj edhe aleatët e tjerë. Në zgjedhjet e fundit parlamentare, LSI-ja u përfaqësua në Kuvend me 19 deputetë. Pra, opozita ka pranuar “me pahir” formulën e kaluar nga Edi Rama duke mos gjetur zgjidhje tjetër ligjore për ta kthyer mbrapsht (përveç lëvizjes së Metës).
Para këtij fakti janë dorëzuar edhe ndërkombëtarët të cilët në njërën anë kujdesen të thonë se 5 qershori nuk u shkel, ndërsa në anën tjetër nënvizojnë se ndryshimet kushtetuese ishin përtej paktit duke shprehur zhgënjim dhe pakënaqësi për kalimin pa konsensus me atë që mbetet faktor në elektoral (edhe pse jashtë dyerve të Kuvendit), opozita jashtëparlamentare. Në këto kushte e vetmja mundësi e opozitës është gjetja e një formule mes vedi për të maksimalizuar votën. Qëndrimet zyrtare nuk janë ravijëzuar, ende ndërsa objektivi është i përbashkët kundër PS-së para dhe zgjedhjeve të ardhshme parlamentare. E ka sqaruar këtë qëndrim edhe Lulzim Basha sa herë është pyetur nëse do të ketë koalicion PD-PS pas 25 Prillit.
Dy ditë më parë, kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi tha se LSI-ja nuk futet në zgjedhje “të kafshojë” PD-në, por të marrë votat nga socialistët e zhgënjyer një tezë kjo që po ushqehet shumë edhe nga vetë Presidenti i Republikës, Ilir Meta i cili formalisht ka premtuar se zgjedhjet e 25 Prillit do ta gjejnë atë në krye të shtetit. Në zgjedhjet e shkuara parlamentare opozita shënoi rezultatin më të dobët të saj. Gjithsej 63 deputetë ku 19 ishin të Lëvizjes Socialiste për Integrim.
Këto zgjedhje situata ndryshon si për LSI-në katër vjet në opozitë ashtu edhe për PD-në e cila po përpiqet të maksimalizojë votën e saj nisur edhe nga një pakënaqësi jo e vogël ndaj kampit kundërshtar e imponuar kjo edhe pas dy vitesh qeverisje. Ndaj dhe llogaritë mbeten të hapura. Ku më e mundshmja (deri tani) është dalja me dy koalicione në zgjedhje. Vendimi pritet të merret brenda muajit. Për të hapur një rrugë bashkëpunimi konkret vetëm pas zgjedhjeve të 25 Prillit. (SI)