Nga Mero Baze/

Sot në mëngjes postimi i parë i presidentit mu duk normal. Kishte porositur 61 kryetarët e Bashkive të Shqipërisë t’u shërbenin qytetarëve dhe të mos merreshin me politikë, e sidomos me fushatë elektorale. Kjo është një këshillë normale për çdo zyrtar të shtetit, ndër të cilët kryetarët e bashkive janë të fundit në listë, pasi në fund të fundit ata janë persona politik, të zgjedhur me votë. Por ka kuptim t’i këshillosh të rrinë larg politikës, qoftë dhe për etikë.

Njeriu që dha këtë porosi, një orë më pas, doli para gazetarëve dhe i hyri me libër shtëpie kryeministrit, me një fjalor agresiv politik, si Ed Paloka pasi ka pirë me të fortët e Babrusë. I “shqetësuar” nga disa kontrata që shkojnë në Arbitrazh, në mënyrë të çuditshme, ai e përjetonte këtë si një pazar të kryeministrit me palën akuzuese, për të ndarë lekët. Në fakt, nuk ka si ta përfytyrojë ndryshe, përderisa vetëm atë formë qeverisje njeh.

Për të sqaruar ata që nuk e kuptojnë shqetësimin e papritur të Presidentit, ajo kontratë është bërë me urdhër të tij, duke thyer të gjitha ligjet e shtetit shqiptar, disa herë, dhe është mbajtur me zor prej njerëzve të tij. Kërcënimi që ai u bën zyrtarëve të shtetit, të mos prishin kontratën, është kërcënim i sekserit që i rrezikohet pjesa në kontratë dhe jo Presidentit që ka marr peng shtetin për një kontratë.

Por ky është problem tjetër.

Problemi nisi nga keqkuptimi që krijova në mëngjes, kur ai këshillonte 61 kryetarë bashkie të silleshin si njerëz apolitik në postin e tyre, edhe pse janë të zgjedhur politik, kurse ky që është president i Republikës, i depolitizuar me ligj, dhe që veprimtaria politike, i konsiderohet shkelje kushtetuese, del pesë herë në ditë, dhe mban fjalime elektorale banale.

Tani kryetarët e bahskive në 61 bashkitë e Shqipërisë, mjafton të marrin si “shembull depolitizimi” presidentin e Shqipërisë dhe mund t’i vënë zjarrin qyteteve. Me këtë kriter, ata duhet të vrasin çdo kryetar PD-jë apo LSI-je që kanë në qytet, dhe të shajnë me libër shtëpie çdo kundërshtar politik që ka punë me bashkinë. Duhet të ndalojnë shërbimet për çdo opozitar dhe duhet të konsiderojnë kr im çdo biznes të tyre. Për këtë kanë imunitet juridik shembullin e presidentit, i cili konsideron Qeverinë ban dë kri miamle, dhe ka obsesion fyerjet ndaj kryeministrit, duke hyrë në garë me gruan e vet për nga fjalori.

Nuk është se e gjën gjë Qeverinë nga këto s ulme, pasi janë të vetmet që i rrisin pikët, por problemi është se kur u kërkon kryetarëve të bashkive të jenë të depolitizuar dhe të ruajnë distancën nga politika, dhe vet bën këtë figurë, duhet ta sqarosh në fund, që të mos bëjnë siç bën presidenti, se ai ka hall tjetër. Hallin e qytetarëve ua ka lënë kryetarve të bashkive. Ai vet ka hall lekësh, siç dhe e dëgjuat.