Nga Plator Nesturi
Nuk ka ndonjë dashuri të madhe midis Bashës dhe presidentit Meta dhe kjo duket qartë në komunikimin mediatik që kanë pasur këto kohë. Janë dy qasje të ndryshme, ku kreu i PD-së në diskurin e vet po nis të futet në rrjedhën e fushatës elektorale duke paraqitur një program prej 5 pikash mbi masat ekonomike në kohë pandemie, ndërsa Meta është përqendruar thjesht te ligji i ri për Kodin Zgjedhor që i nxjerr në pension koalicionet parazgjedhore. Kjo e fundit, ndonëse bëhet në emër të mbrojtjes së marrëveshjes së 5 qershorit, duket se mbetet shqetësim vetëm për presidentin dhe jo për partitë opozitare, (përveç LSI-së), të cilat ishin dhe firmëtaret e marrëveshjes dhe aktorët direktë për matjen e forcave në 25 prill. Atëherë pse kreu i shtetit investohet kaq fort në emër të një kauze opozitare, kur vetë opozita, dhe veçanërisht PD-ja, nuk po trysnojnë në këtë çështje dhe si objektiv nuk kanë më ndryshimin e ligjit elektoral?
Për partitë e minorancës objektivi tashmë është krejt tjetër: fushata elektorale, listat e deputetëve dhe përballja në betejën politike. Ndaj shtrohet pyetja nëse opozita e ka lënë në baltë Ilir Metën në betejën e tij për ligjin, apo vetë presidenti ka shkuar më tej në objektivat e tij personalë dhe i prish punë opozitës dhe PD-së? Në fund të fundit, presidenti nuk është garantuesi i marrëveshjes së 5 qershorit. Nuk ishte ai që inicioi tryezën dhe të ishte kujdestar për mbarëvjtjen e saj midis përfaqësuesve të partive politike. Përkundrazi. Këshilli Politik u bë nën mbikëqyrjen e ambasadave dhe ishin ato noteret e marrëveshjes së arritur.
E mbi këtë logjikë, mosrespektimin e një marrëveshjeje të arritur nën protektoratin e tyre, do të duhej ta denonconin pikërisht ato, për t’i vënë gjërat në shinat e duhura. Por kjo nuk ka ndodhur. Shtesat e reja në propozimet e mëvonshme të vetë partive nënshkruese, siç ishte hapja e listave, kompozuan dhe ndryshimet përkatëse në ligj, që mori jo vetëm votat e socialistëve. Por ka diçka më shumë se kaq. Protagonizmi që kërkon të tërheqë rreth vetes presidenti, pak ka lidhje me prerogativat e kreut të shtetit, por me vetë rolin e protagonizmit në lëvizjen opozitare. Pra, kush është lideri i vërtetë i opozitës.
Për vetë rolin që ka PD-ja, dhe për filozofinë që përfaqëson e, jo vetëm për shifrat, natyrshëm roli i liderit të opozitës i takon kreut të PD-së. Dhe kjo kakofoni në qëndrime dhe teza që hidhen në treg, pa dyshim e dobëson rolin e Bashës si figura qendrore e opozitës. Në këtë aspekt, me heshtjen e tij, duket se është më i nteresuar sesa vetë Rama, që t’i kumtojë presidentit që të mbajë vendin e tij e të mos ngatërrohet më tej në lojën politike parazgjedhore. Gjithsesi, opozita ka humbur kohezionin mes vetes. Uniteti i dikurshëm dhe qëndrimet e përbashkëta janë terur si mjegulla. Diskuri politik dhe qëndrimet tashmë janë në fasha të ndryshme dhe pothuaj pa lidhje me njëri-tjetrin. Vetë ligji i ri elektoral ka bërë që dhe interesat elektorale të jenë të ndryshme midis partive opozitare. Ajo çka tashmë duket qartë është se opozita është fragmentarizuar. Nuk do të ketë lista të përbashkëta për të hyrë në zgjedhje dhe po formatohen tri grupime opozitare që gjithsesi do të luftojnë për vota edhe në kurriz të njëri tjetrit. Grupi PD-PR-PBDNJ do të ketë konkurrencë në të njëjtën fashë të elektoratit për vota me grupin LSI-PDIU. Ndërkohë kreu i Agrarëve, Duka, paraqet një platformë të re për partitë e vogla që kërkojnë përfaqësim në Kuvend.
Fraksionimi i opozitës, natyrshëm do të favorizojë PS-në për objektivat e saj. Vetë Rama duket shumë i qetë në daljet e tij, ndërsa tenton mandatin e tretë të qeverisjes. Vetë strategjia e PS-së në fushatë po orientohet direkt te shtresat e veçanta. Paketat e reja për mjekët, për mësuesit dhe së fundmi ajo për heqjen e akcizës së naftës për fermerët, janë të drejtpërdrejta dhe joshin një grup të madh me peshë që mbush magazinën e votave. Ndërkohë, nga ana e opozitës ka boshllëk idesh dhe energjitë po harxhohen ose për listën e kandidatëve për deputetë, siç po ndodh brenda PD-së, ose me rrugëdaljet se si do të orientohen për fushtën elektorale në mungesë të një koalicioni gjithëpërfshirës. Uniteti opozitar është në shpërbërje dhe vetë kreu i PD-së nuk po gjen një motiv për ta mbajtur frontin të bashkuar. Po kështu, vetë PD-ja nuk ka gjetur ndonjë mënyrë të re të komunikimit për ta bërë joshëse në sytë e elektoratit. Programi prej 5 pikash, i paraqitur nga Basha, për çështjet ekonomike dhe përballimin e situatës nga pandemia, në të vërtetë, nuk sjell asgjë të re. Kjo dhe nga forma në të cilën paraqitet, formë që është e vjetër dhe nuk grish frymëzim apo zgjidhje.
Për t’u paraqitur si parti me mendësi të reja, do të duhej prezantim dhe fushatë moderne, por kjo që shfaqet është shumë larg. Një parti evropiane nismat apo programet që paraqet, i përcjell dhe me shpjegimin në shifra monetare se si do të realizohet, sa do të jetë kostoja, ku do të gjenden paratë që do të zhvendosen nga buxheti etj. Në rastin e 5 pikave të Bashës nuk ka asgjë të tillë. Ka thjesht renditje pikash, por të pashoqëruara me kostot e tyre përkatëse. Të premtosh në ajër është e thjeshtë, por në kohët e sotme askush nuk të beson, nëse kjo nuk është bazuar në shifra konkrete. Me sa duket, shifrat janë dhe pika më e dobët e Bashës, dhe ku lapsuset e herëpashershme me to, nuk garantojnë një administrator të mirë qeveritar për çka synon. Opozita, ndërsa po hyn në betejën për zgjedhjet, po shfaqet e shpërbërë, pa ide dhe në konfuzion. Kakofonia e drejtuesve të ndryshëm veçse e zbeh më tej imazhin e saj në sytë e elektoratit, për të cilin ende mbetet në pikëpyetje se kush është lideri i saj. Dhe deri sa opozita ta zgjidhë këtë, zgjedhjet e 25 prillit mund të kenë kaluar drejt një mandati të tretë./ Fjala.al