Thomas Tuchel e etiketoi Paul Pogba si një nga mesfushorët më të mirë në botë, përpara ndeshjes së PSG kundër Manchester United. Kampionët e Ligue 1 presin sot në Paris “Djajtë e Kuq”, për ta filluar fushatën e Champions-it në Grupin H: “Paul është një nga mesfushorët më të mirë të botës. Po mendojmë çelësin për ta ndaluar atë. Duhet pasur shumë kujdes edhe nga Bruno Fernandes, i cili bën shumë pasime të thella. Manchester United është një nga skuadrat më të mira në Europë në tranzicionin sulmues. Është e nevojshme t’i ndalojmë kundërsulmet e tyre. Ne duam të kemi topin, duam të luajmë me shumë posedim, të imponojmë stilin tonë”.
Edhe ish-shoku i skuadrës së Pogba te Manchester United, Ander Herrera, vlerësoi ndërkombëtarin francez: “Ai i ka të gjitha. Unë tashmë e kam thënë se nuk ka asnjë mesfushor si Paul. Ai mund të bëjë gjithçka, një kundër një, zonë më zonë…; gjithkund. Pogba i ka të gjitha cilësitë. Ai tani luan pak më thellë sesa kur unë isha atje, sepse Fernandes luan si një numër 10. Personalisht mendoj që, nëse Manchester United fiton tituj, Pogba do të jetë në listën për “Topin e Artë” dhe trofetë e fundvitit”.