Trajneri i Shqipërisë Edi Reja ka ndarë mendjen për formacionin që do të hedhë në fushë nga minuta e parë e përballjes me Lituaninë, teksa ka bërë 3 ndryshime nga 11-shja me të cilën startoi ndeshjen e tre ditëve më parë ndaj Kazakistanit. Kështu në portë është konfirmuar kapiteni Berisha, që do të mbajë edhe shiritin e kapitenit, ndërsa nuk ka ndryshime as në repartin e mbrojtjes, me Kumbullën, Dermakun e Gjimshitin, që duhet të rritin konfidencën mes tyre.

Në mesfushë ka përfunduar në pankinë Lorenc Trashi, pasi në krahun e majtë do të niset titullar Ermir Lenjani, ndërsa Albi Doka do të duhet të presë për debutimin, pasi në krahun e djathtë do të aktivizohet sërish Veseli. E befasishme është ulja në stol e Sherif Kallakut, i cili kishte bërë mirë në Kazakistan dhe për më tepër është ndoshta i vetmi fantazist që kemi momentalisht në skuadër, ndërsa në vend të tij do të luajë nga minuta e parë Qazim Laçi.

Në sulm konfirmohet nga minuta e parë Armando Broja, i cili këtë herë do të shoqërohet nga Taulant Seferi, që edhe në Kazakistan zëvendësoi Manajn në minutat e fundit të ndeshjes.