Tirana do të ketë shumë shpejt inkubatorin më të madh në rajon në fushën e teknologjisë së inovacionit, artit dhe kulturës.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj dhe dy bashkëdrejtuesit e Fondacionit Shqiptaro-Amerikan të Zhvillimit Martin Mata dhe Aleksandër Sarapuli, inspektuan punimet e fundit që po bëhen tek “Tumo Center”, në mjediset e stadiumit kombëtar “Air Albania”, e cila do të presë mijëra të rinj të moshës 12-18 vjeç, qe do të mësojnë gjuhën e kodimit.

“Nuk besoj se ka shkollë më të bukur se kjo që po projektojmë sot, e cila nuk është një shkollë tradicionale, me orarin 8:00 me 13:00, por është krejt alternative. Një shkollë unike jo vetëm në Shqipëri, por në të gjithë Ba”lkanin”, tha Veliaj.

Kreu i Bashkisë dha lajmin se këtë muaj nisin punimet për transformimin e Piramidës, që do të jetë në fakt, shtëpia e përhershme e “Tumo Center”. Punimet do të zgjasin rreth një vit e gjysmë. Veliaj shtoi se ky investim përkon edhe me idenë për ta kthyer stadiumin “Air Albania” në një qendër multifunksionale.

“Nëse unë apo kushdo tjetër shahet e mallkohet për këtë, qofsha fajtor gjithë jetën, sepse ky lloj investimi, që sjell sport, komercializëm, socializim dhe industri kreative, është ndoshta gjëja më e mirë që i ka ndodhur këtij vendi në 100 vite, që kur është shpallur kryeqytet i Shqipërisë. “, tha ai.

Të rinjtë që do të frekuentojnë mjediset e transformuara të Piramidës do të kenë mundësi të ndjekin kurse të ndryshme në fushën e IT dhe të komunikacionit, si dizajni, programimi etj.