Të enjten e kaluar, Partia Socialiste prezantoi platformën “Deputetiqeduam.al”, përmes të cilës të gjithë të interesuarit mund të aplikojnë për të qenë pjesë e listës së hapur të kësaj force politike në zgjedhjet e 25 prillit. Në vetëm 4 ditë që prej lançimit të kësaj platforme janë plot 16 mijë qytetartë që janë regjistruar dhe 46 prej tyre kanë përfunduar aplikimin e plotë.

Aplikimi do të jetë i hapur për të gjithë deri në datën 25 nëntor.

Kategoritë kryesore të kërkuara janë emigrantët, studentët ekselentë, gratë sipërmarrëse, intelektualët dhe të gjithë profesionistët me rezultate të dalluara në fushën e tyre të veprimit. Qënia anëtar i Partisë Socialiste nuk është kusht për të aplikuar. Kushdo mund ta bëjë këtë, nga jashtë apo brenda vendit, me kusht që të mos ketë precedent të mëparshëm kriminalë.

Për të aplikuar është e nevojshme të dërgohen përveç gjeneraliteteve, një CV dhe një video prezantuese maksimumi 3 minuta e gjatë. Një komision ekspertësh të formuar nga figura të Partisë Socialiste dhe intelektualë dhe ekspertë të pavarur do të seleksionojë 90 kandidaturat më të mira, të cilat do të kalojnë një fazë vlerësimi publik.

Në përfundim, 20 kandidaturat më të mira do të përzgjidhen dhe do të përfshihen në listën e deputetëve të Partisë Socialiste për zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Kjo platformë është bërë funksionale ndërsa njëkohësisht, më shumë se 100 mijë anëtarë të Partisë Socialiste janë duke vlerësuar online, në mënyrë anonime deputetët e legjislaturës aktuale. Rezultatet do të shërbejnë për të përcaktuar se cilët janë deputetët me rezultatet më të mira, të cilët do të kombinohen me prurjet e reja të listës së hapur.