Bashkia Bulqizë inauguroi sot mjediset e rikonstruktuara të shkollës 9-vjeçare “Godvi” në njësinë administrative Zerqan. Kjo shkollë tashmë është e rikonstruktuar tërësisht dhe nxënësit e stafi pedagogjik do ta vijojnë procesin mësimor në kushte pothuajse tërësisht ndryshe nga ato ç’kanë qenë.
Shkolla 9-vjeçare “Godvi” tashmë do të mbajë emrin “Ismail Jangulli”, i njohur për aktivitetin e tij në fushën e arsimit, por jo vetëm.
I pranishëm në këtë ceremoni ishte edhe Kryegjyshi Botëror i Bektashinjve, Haxhi Dede Edmond Brahimaj. Ai vlerësoi figurën e Ismail Jangullit jo vetëm për kontributin në fushën e arsimit, por edhe në dimensionin shpirtëror të komunitetit.
Në fjalën e tij përshëndetëse, kryetari i bashkisë Bulqizë Lefter Alla u shpreh se edhe pse na presin edhe shumë sfida të tjera në fushën e arsimit, investimi në institucionet arsimore në të gjithë territorin e Bashkisë do të vijojë të jetë nga prioritetet më të rëndësishme të punës së tij.