Në turin e nisur në të 27 njësitë e kryeqytetit, kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, dhe deputetja e PS, Blerina Gjylameti, vizituan themelet ku po ngrihet shkolla e re. “Gjëja më e rëndë në botë për një njeri që ka një detyrë publike, është t’i thonë se nuk ke ngulur një gozhdë. Më vjen mirë që ishim këtu, jo vetëm për të ngulur një gozhdë, por për të ngritur një shkollë, një institucion të dijes ku çdo fëmijë pret biletën e të ardhmes. Kantiere si ky kemi në të gjithë territorin e Tiranës, janë 400 të tjera, nga të cilat 11 janë shkolla të dëmtuara nga tërmeti; një pjesë e madhe, mbi 300 shtëpi, janë duke u ndërtuar, dhe një pjesë tjetër, që do ta fillojmë këtë muaj, janë themelet e pallateve në Kombinat edhe në zonën e “5 Majit”. Në momentin që i kemi dhënë drejtim këtyre projekteve të mëdha, kemi mundësi të themi që dolëm faqebardhë, e t’i kthemi pastaj rrugës së Allgjatës dhe disa rrugëve të tjera rurale”, tha Veliaj.
Ndërkaq, kryebashkiaku ishte edhe në Vaqarr, ku po rindërtohet shtëpia e familjes së Lulzim Agës, edhe kjo e prekur nga lëkundjet sizmike të thuajse një viti më parë. “Shtëpia është një nga hallet më të mëdha që ka njeriu në jetë. Ka edhe nga ata që kanë nga 4-5 shtëpi, por për robin që ka vetëm një shtëpi, është një nga hallet më të mëdha të jetës”, tha Veliaj, duke shtuar se po punohet edhe në fundjavë, në mënyrë që të gjitha familjet e mbetura jashtë të hyjnë në shtëpitë e reja. “Jemi duke punuar edhe të shtunën, çka do të thotë se e kemi ndarë mendjen ta bëjmë këtë punë. Nga puna nuk ka gjetur gjë njeri. Ata që kemi përballë e kanë alergji punën”, tha ai.
Kryebashkiaku shtoi se Partia Demokratike punon vetëm për shpifje. Madje, ka arritur deri aty sa u ndryshon identitetin qytetarëve, siç ndodhi dje me rastin e një qytetareje në Njësinë 4. “Doli dje një grua, me maskë në fytyrë, por e verifikuam. Ajo thoshte: Jam Fatimja, ndërkohë, Fatimja ishte në Kombinat. Tani nuk e kuptova, po tallej partia me popullin, apo po tallej populli me këtë partinë”, ironizoi Veliaj.
Kryebashkiaku u takua edhe me stafin e njësive administrative Vaqarr dhe Ndroq, ku foli mbi projektet që pritet t’i japin zhvillim zonave periferike në kryeqytet. Ai tha se së shpejti do të hapet një treg i ri në Vaqarr, për prodhimet bujqësore, si dhe do të vendoset zona e lirë ekonomike, që do gjenerojë punësime për të gjithë zonën.