Trajneri i Juventusit, Andrea Pirlo, e ka lartësuar Cristiano Ronaldon për mënyrën sesi e ka nisur sezonin dhe shpreson se ai do ta vazhdojë formën e mirë. Ronaldo i shënoi tri gola dhe e dhuroi një asist në dy ndeshjet e para të Juves në sezonin e ri 2020/21, duke i ndihmuar t’i grumbullojë katër pikë. Para ndeshjes kundër Napolit të dielën, trajneri Pirlo e veçoi yllin portugez, për të cilin shpreson se do të shënojë edhe shumë gola të tjera.
“Ronaldo punon shumë zellshëm. Ai është i pari që vjen në stërvitje dhe i fundit që kthehet në shtëpi”, tha Pirlo. “Ai sjell entuziazëm dhe këtë mund ta vëresh në fushë. Ai e nisi sezonin shumë mirë dhe shpresoj se do të vazhdojë njëjtë deri në fund të sezonit. Shpresoj se ai do ta shënojë një apo dy gola çdo ndeshje”, shtoi ai.