Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj deklaroi sot se një pjesë të madhe të dëmeve të shkaktuara nga tërmeti i 26 nëntorit të vitit 2019 janë duke u adresuar me fonde të buxhetit të shtetit. Kjo sipas saj, pasi ne duam që procesi i ndërtimit të banesave për të prekurit nga tërmeti të mbyllet sa më shpejt duke u bërë të mundur banorëve të rikthehen në shtëpitë e tyre. Sipas ministres Denaj, gjatë vitit 2020 nga buxheti janë akorduar për rindërtimin 31 milionë dollarë ndërsa rreth 3 milionë dollarë janë donacione. Në vitin që vjen, vuri në dukje Denaj, qeveria ka planifikuar për procesin e Rindërtimit 28 miliardë lekë.

Ministrja po ashtu bëri të ditur se qeveria në fillim të këtij viti akordoi edhe 137 milionë dollarë si mbështetje të drejtpëdrejt për ata që u prekën nga pandemia e COVID-19 në punën e tyre. Por, theksoi ministrja mbështetja në kuadër të pandemisë ka qenë më e madhe po të kemi parasysh se janë 190 milionë dollarë që i mungojnë buxhetit të shtetit nga masa për shtyrjen e një pjese të tatimeve apo elementë të tjerë që lidhen me garancitë sovrane. Ministrja shpjegoi edhe se mbi ç’bazë është parashikuar 5.5% rritja ekonomike në vitin 2021.

“Gati 90% e rritjes ekonomike mbështetet te konsumi dhe konsumi që ne pretendojmë se do të jetë vitin që vjen lidhet edhe me investimet”, tha Denaj. Sipas saj, vetëm në 3 vite për Rindërtimin investohen 650 milionë dollarë. Që është një para e konsiderueshme. “Duke u hedhur si para në qarkullim nëpërmjet fondit të Rindërtimit por duke u punuar kompanitë e ndërtimit do të sjellë punësim dhe punësimi sjell konsum çka ka një impakt të caktuar”, theksoi ministrja. Po ashtu, Denaj tha se viti 2021 është një nga vitet që ka nivelin më të lartë të investimeve publike. “Kemi në infrastrukturë investime të konsiderueshme që do të kenë efekt në punësim e për rrjedhojë edhe konsum, si tuneli i Llogorasë etj. Ka një vlerë të shtuar të shpenzimeve dhe investimeve të cilat prodhojnë në llogaritjet tona punësim e konsum”, deklaroi Denaj.

Ministrja iu përgjigj edhe debatit për pagesat nga buxheti për koncesionet. “Është dyfish i 2020 sepse ne i ulëm me 40 % kontratat koncesionare, pasi negociuam që këtë vit pandemie ato të mos paguheshin. Në 2019 kontratat koncesionare ishin 13.7 miliardë lekë. Në 2020 duhet të ishin 14 miliardë lekë dhe shkon në 14.5 miliardë lekë vitin që vjen. Por ne nuk shkojmë dot përtej 5% të totalit të të ardhurave”, tha ministrja. Ministrja theksoi se nuk mund të shkojmë drejt një stopimi të këtyre të kontratave, pasi duhet të biem dakord të dy palët. Lidhur me deklaratat e kreut demokrat, Basha për anulim të koncesioneve, ministrja Denaj tha se është e pamundur edhe për vet natyrën që ato kanë pasi lidhen me shërbime të domosdoshme si dializa apo sterilizimi. “Basha e ka riformuluar daljen e tij të parë publike për pavlefshmëri absolute dhe e ka riartikuluar pak më saktë këtë, herën e dytë, duke e futur në një kontekst juridik. Anulimi i një kontrate koncesionare do të thotë se do të shkojmë në një proces gjyqësor. Procesi gjyqësor do të ezaurohet në të gjithë shkallët në Shqipëri, para se të shkojë në arbitrazh, që do të marrë një kohë të caktuar që mund të shkojë deri në 3 vite. Deri në atë kohë ne duhet të llogarisim dëmin që krijojnë këtë kontrata. Po flasim për koncesionin e Rrugës së Arbrit, dializën apo sterilizimin. Do ti lëmë në gjysmë këto shërbime?”, tha Denaj.

Sipas saj, është e pamundur të ndodhë kjo gjë. Basha, tha ajo, e përdori anulimin e koncesioneve si një element që do të kompensonte eliminimin e të ardhurave si rezultat i vendosjes së taksës së sheshtë.