Nga Irsa Ruçi

E keni vënë re sesi ithtarët që u kujtuan gjashtë muaj para zgjedhjeve të kërkojnë të marrin fatet e vendit në dorë, nuk kanë asnjë argument kur i pyet pse duhet të vijë z. Basha në pushtet? Mbyturazi ju del vetëm justifikimi i rotacionit, por për çfarë është i nevojshëm rotacioni kur nuk sjell asgjë të re, por vetëm humbje për shqiptarët, këtë nuk e marrin në konsideratë ta zënë me gojë. Madje, të hakërrehen në vend të argumentit dhe fillojnë luajnë me nota patriotizmi. Dhe kush se, ata që atdheun e panë sa kishin pushtet, veç një tortë përlyerje dhe ngrënieje pa kriter!

Edhe kur i pyet direkt për liderin e opozitës, fillojnë e krijojnë monologë për kryeministrin. Aq i sfumuar është identiteti i z. Basha, saqë edhe në pyetje që lidhen posaçërisht me të, merren me z. Rama: – Pse duhet të vijë z. Basha në pushtet? Ka ndonjë arsye që ta meritojë? – Rama ashtu, Rama kështu, Rama atje, Rama përse, përse, përse…. Ngado i del Rama si makth, si pengesë për të arritur ëndrrën e tij në sirtar pas gjumit disavjeçar nga një karrige në tjetrën; dhe nuk merret me punën e z. Rama si kryeministër, por merret me të personalisht. Nëse përpiqem të përfytyroj se çfarë mund të bëjë z. Rama këtë mandat 4 – vjeçar, më krijohet një panoramë e përgjithshme, duke parë rezultatet e punës së deritanishme. Por sinqerisht, kur përpiqem të përfytyroj se çfarë mund të bëjë z. Basha këtë 4 – vjeçar, më kap mekja. Parasysh kam vetëm buzëqeshjen plot shtirje, por s’ më kap qarku asgjë konkrete prej tij. Zero punë, 0, vetëm fjalë. Si 5 pikat e një flete A4, që i tund si letër bakalli sa nga një media në tjetrën. Kaq mundet të prodhojë!

Për ata që mendojnë se lideri i opozitës është rishtar në politikë dhe e kërkojnë votën “për ta provuar dhe këtë njëherë”, dy janë alternativat: O u janë mpire shqisat dhe u ka humbur kujtesa e 10 viteve të z. Basha në pushtet, ose ai si ministër i 3 ministrive të ndryshme; dhe më pas Kryetar Bashkie i Tiranës, s’ka bërë asgjë askund dhe ngjan si “mall i ri”. I papërdorur PO, është; se nga një çunak që vinte poshtë e përpjetë, mori ministri-ra dhe pushtet të menjëhershëm, pa kuptuar se ç’domethënë ta fitosh me mund e lodhje atë. Dhe po kaq qyl kërkon dhe tani karrigen e kryeministrit dhe sheh si të vetmen pengesë z. Rama. Sado pakënaqësi-ra të kenë njerëzit nga Kryeministri aktual, asnjëherë nuk do barazohen: dikush që ka 7 vite, mirë apo jo aq mirë, por 7 vite në punë; me dikë që edhe të bënte detyrën e deputetit në Parlament refuzoi dhe ndenji 7-të vite gjumë. Dremitje në ëndrra për Kryeministër; duke e çuar pikiatë poshtë edhe partinë që i hapi derën.

Z. Basha i duhet pushteti, sepse ai e di fort mirë që po nuk e mori, e djathta nuk do ja falë më; e do e përzënë vrik nga ajo karrige. Në fakt, e djathta meriton të përfaqësohet denjësisht, nga dikush që ka luftuar për të dhe i ka dalë zot në kohë të vështira. Dhe figura të tilla, ajo parti ka prodhuar plot ndër vite. Por, deri sa të vijë dita që PD-ja të strukturohet dhe të marrë formën e duhur për të qenë kandidate e denjë të meritojë Shqipërinë dhe të ardhmen e shqiptarëve; duhet t’i mëshojë fort opozitës për të realizuar katarsin e brendshëm, që të mund të prodhojë qëndrueshmëri pas katër vitesh. Sepse një pushtet i marrë tani pa meritë, do i rrëzonte shumë shpejt nga pushteti e do shkaktonte trazira të brendshme në vend. Atdheu është drithërimë shpirti për këdo që frymoi të parën herë duke ndjerë aromë Shqipërie dhe e njohu këtë tokë përmes dritës që ju lind në sy. Kushdo që e do vendin, i dhimbset ta shohë të kthehet pas dhe të mbetet peng i një grushti njerëzish, që kurrë nuk e merituan besimin që shqiptarët i dhanë.