Ndërtimi i segmentit rrugor Berat-Ballaban, pjesë e aksit rrugor interurban Berat–Ballaban–Këlcyrë–Përmet me gjatësi rreth 100 km do ti shërbejë përveç përdoruesve të rrugës edhe banorëve të 55 fshatrave të zonës, si dhe do ta bëjë më të lehtë aksesin në tregje për fermerët e këtyre zonave.

Autoriteti Rrugor Shqiptar bën të ditur se më qëllimin për të pasur një projekt me parametra të reja, sipas rregullave teknike të projektimit të vitit 2015, lindi e nevojshme studimi dhe projektimi i aksit Berat – Ballaban.

“Në termat e referencës i është kërkuar konsulentit të paraqesë jo më pak se dy variante ku nuk përjashtohet mundësia edhe për një variant me gjurmë të re. Kjo për të vetmen arsye se rruga aktuale është me shumë kthesa me rreze të vogël, me serpentina dhe pjerrësi të mëdha që përbëjnë rrezik serioz për përdoruesit e rrugës”, bën të ditur ARRSH.

Vitet e fundit nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit, është investuar për asfaltimin e segmentit Ballaban–Këlcyrë. Në gjithë pjesën tjetër, e cila është rrugë e ngushtë me çakull, janë kryer vetëm punime mirëmbajtje.

Projektet e rrugëve në Shqipëri janë hartuar në vite, bën të ditur ARRSH-ja, përfshirë edhe vitin 1974, nga Instituti i Projektimeve nr. 2, pranë ish-Ministrisë së Ndërtimit. Ato kanë respektuar një standard të asaj kohe për një gjerësi të pjesës kaluese rreth 4 m.

Gjatë viteve ’90 e në vazhdim, shpjegon ARRSH, kryesisht projektet kanë konsistuar në zgjerimin e rrugëve në gjurmën ekzistuese, duke iu përshtatur edhe nevojave të rritjes së trafikut.

“Ndërkohë kushtet teknike të projektimit nga viti 1974 deri në vitin 2020 kanë pësuar përmirësime dhe ndryshime lidhur me parametrat gjeometrikë. Më qëllimin për të pasur një projekt me parametra të reja sipas rregullave teknike të projektimit të vitit 2015, lindi e nevojshme studimi dhe projektimi i aksit Berat – Ballaban”, thuhet në deklaratën e ARRSH-së.

Përgjatë këtij aksi kanë ndodhur aksidente me humbje jete, sikurse është aksidenti i përmbysjes së një autobusi në afërsi të fshatit Tërpan.

“Qëllimi i vetëm i projektit ka qenë dhe do të jetë përmirësimi i gjendjes së këtij segmenti të rëndësishëm rrugor, nga i cili përfitojnë jo vetëm përdoruesit e rrugës, por edhe komuniteti i zonës”, thotë ARRSH.