Vendimi i komisionit të ngritur nga Partia Demokratike për të eleminuar ish deputetin Ervin Salianji nga lista zgjedhore e 25 prillit, ka ngjallur mjaft debate në qarqet politike. Vetë ish ligjvënësi, duket se ka aktivizuar përkrahësit e tij për të sulmuar frontalisht njëri pas tjetrit anëtarët e komisionit të cilët votuan të pestë kundër kandidimit të tij si deputet për shkak të mashtrimit publik me dosjen “Babale” dhe inskenimin e sulmit ndaj ish ministrit të Brendshëm.
Përmes komenteve të porosituara në rrjetet sociale, shkrimeve në media apo memeve të shumta që kanë qarkulluar, grupi i ish deputetit ka nxjerrë nga arkiva të gjitha deklaratat politike të ish ministrave Genc Ruli dhe Besnik Mustafaj duke i sulmuar publikisht. Një nga grupet e kontrolluara nga Salianji është edhe ai i të rinjve të PD-së në Maliq. Përmes llogarisë së tyre zyrtare ata kanë kryer disa sulme të njëpasnjëshme ndaj anëtarëve që votuan kundër kandidimit të Salianjit më 25 prill.
“Salianji ne opozite dhe mbron PD, Ruli kunder PD dhe me pushtetin . Ruli fytyra me e korruptuar dhe e poshter perpiqet te largohej ate qe mbron demokratet Ne si qark me ane te antarsise e kemi kerkuar dhe e duam Ervinin si djale i zones dhe si deputetin tone per kontributin dhe per perfaqesimin dinjitoz qe na jep.Ervini eshte opozita e ketyre 7 viteve ne cdo denoncim ne cdo afere korruptive qe ka bere kjo qeveri e korruptuar. Se bashku me Ervin Salianji”, thuhet në profilin zyrtar të FRPD Maliq, të administruar nga mbështetës të Salianjit.
I gjithë ky reagim denigrues ndaj anëtarëve të komisionit, ushtrohet për të nxitur kryedemokratin Lulzim Basha që të ndërmarrë një vendim të dytë mbi rifutjen e tij në garën elektorale.