“Zoti Meta ka rolin e tij. Ai është kryetar i shtetit, por e luan shumë mirë, sipas mënyrës së tij, pasi Meta është njeri politik. Meta është i pari president politik në Shqipëri, të tjerë kanë qenë institucional në njëfarë mënyrë. Ky është njeri politik, është bërë aktiv i dorës së parë. Kjo është meritë, cilësi, e tij, me të gjitha defektet që bien brenda”.

Kështu u shpreh në “Dita Jonë” në A2, Dashamir Shehi, kryetari i Partisë Lëvizja për Zhvillim Kombëtar, e cila është pjesë e opozitës së bashkuar.

Më tej, ai theksoi se alternativa e vërtetë është Basha me grupin e tij, është e djathta shqiptare.

“Me tezën e Ramës i bie që shqiptarët të zgjedhin mes dy të majtave, një e majtë më e mirë, ku e di unë, e udhëheq Meta, një e majtë më e keqe e udhëheq Rama.

Po nuk paskan të drejtë shqiptarët të zgjedhin një të djathtë? Ku shkoi historia 30-vjeçare e mijëra të rinjve, të cilët u munduan ta spostojnë Shqipërinë nga komunizmi?

Ky poli i alternativës ka në krye zotin Basha. Kjo është një çështje që nuk diskutohet më dhe ne jemi shumë të respektuar që kemi këtë zotëri”, u shpreh Shehi.

“Ky kryeministër e kthen në fushatë edhe atë që nuk është fushatë, normal që edhe opozitës i takon të bëjë pjesën e saj. Do të parapëlqeja një situatë më të qetë.

Duhet të bënim atë që bën e gjithë bota, por në këtë situatë qytetarët duhet të sqarohen për atë që po ndodh në vend. Unë e gjykoj që me këtë që po ndodh në Shqipëri, neve na takon t’u themi disa të vërteta” tha ai.

Sa i përket çështjes së inceneratorëve, Shehi thekson se politika nuk duhet të ndërhyjë në këtë situatë te SPAK-u, duke e lënë që të bëjë punën e tij, edhe pse thekson se edhe ai ka dyshimet e tij.

“Unë do të gjykoja që politika bën shumë gabim që ndërhyn te kjo drejtësi, e dobët apo sidoqoftë ajo. Ndryshe ne nuk kontribuojmë në ndërtimin e një shteti të së ardhshmes edhe pse unë kam dyshimet e mia. Detyra jonë është që të bëjmë dosjet dhe t’i dorëzojmë”.

Për kreun e LZHK, rrotacioni politik është i nevojshëm për të gjithë dhe për të Basha është kryeministri i ardhshëm i vendit.

“Unë mendoj se një propozim alternativ nuk mund të qëndrojë vetëm në denoncimin e korrupsionit, apo të kritikës, nuk mund të qëndrojë kurrë me të keqen, por edhe mbi një propozim optimist.

Ne gjykojmë se i gjithë ky denoncim i vazhdueshëm duhet shoqëruar me një alternativë të re, e cila jep shpresë. Ne duam të bëjmë një regjim që nëpunësin e thjesht ta bëjmë të ndihet i qetë dhe të mos mendojë nëse do të ndërrohet qeveria apo jo.

Kjo që po vjen është për të gjithë. Unë them që kjo është shpresa e Shqipërisë. Unë jam i mendimit që duhet të falet edhe ai që ka gabuar haptazi në emër të partisë.

Duhet ta thyejmë këtë lloj zinxhiri pervers që kemi. Teza e vjetër e Ramë i thotë shqiptarëve që nuk do të vijë ndonjë alternativë e re, Berisha e të tjerë, jo Basha me ide të reja.

Basha është i paprovuar për kryeministër. Me tezën e Ramës i bie që shqiptarët të zgjedhin mes dy të majtave. Alternativa e vërtetë është Basha me grupin e tij, është e djathta e tij. Basha do të jetë kryeministri i ri”, u shpreh Shehi.