Nga Alfred Peza/
Mbrëmë shumë vonë mësova se një shkrim që paskam shkruar në tetor 2018, ishte thirrur në ndihmë nga punonjësit e institucionit të Presidencës, për të qarë një hall të ri të Ilir Metës. Kur pashë se jehona e tij ishte dëgjuar deri tek ndonjë portal pranë LSI e PD, kuptova se bëhej fjalë për një përpjekje mjerane për të përdorur emrin tim si mashë, për tiu shmangur zjarrit të lojës së tyre me të vërtetën!
I mësuar prej mbi çerek shekulli me kulisat e lojës mediatiko- politike në qytet, nuk ke se si të mos ndihesh i përkëdhelur nga fati, kur emri yt i del përpara syve vetë Kryetarit të Shtetit, netëve kur nis e sheh ëndrra të këqia. Por as dje, as sot dhe as nesër, ai nuk ka ndihmuar askënd për të kapërcyer raportin me të vërtetën. Aq më pak Presidentin e Republikës. Këtë radhë, raportin Ilir Meta e ka me skandalin e paisjes me pasaportë për 8 orë të një qytetari të huaj, ndërkohë që ai ishte nën akuzë në Shqipëri për falsifikim dokumentash.
Ndaj 2 pyetjet e mia në një shkrim të vjetër, nuk mund të shërbejnë dot si mburojë, për 8 pyetjet e reja që paska ngritur sot Ilir Meta. Sikundër atë nuk mund ta mbrojë dot, as shmangia nga përballja me pyetjet rreth kësaj çështje në konferencën e fundit për shtyp, e së hënës. As shmangia nga komunikimi i drejtpërdrejtë me mediat të premten, siç kishte paralajmëruar më parë se, do të realizonte çdo javë. As përdorimi i mediave “të pavarura” opozitare. E aq më pak, facebook-u i zëdhënësit të tij.
Si shkak për reagimin e Presidencës ka shërbyer raportimi ekskluziv nga “Shqiptarja.com” dhe “ReportTV”, me titull: “Skandali i Metës me nënshtetësinë, edhe BE ndërhyri për të ndaluar dhënien e pasaportave pa protokolle sigurie”. Në vend të sqarimit të fakteve të pretenduara në shkrim, Presidenti ishte rrekur më kot që të imitonte stilin tim të përpara dy viteve, për të sulmuar autorin e tij gazetarin Adriatik Doçi dhe botuesin Carlo Bollino me bashkëshorten, Alba Malltezi.
E ndërsa lexon reagime të tilla, të vijnë ndërmend deklaratat e Presidentit të Republikës sonë kur inkurajon “gazetarët kritikë që të vijojnë pa u trembur misionin e tyre” duke ftuar “organizatat pretigjoze botërore të medias të monitorojnë edhe më shumë vëmendje situatën e kolegëve në Shqipëri”. Kam pritur këto ditë që shoqatat e medias në Shqipëri ta bëjnë këtë për Adriatik Doçin, por më kot. Kam pritur kolegët e mi gazetarë që ta bëjnë këtë për Mero Bazen, por më kot. Kam pritur organizatat e të drejtave të njeriut, ta bëjnë këtë për çdo gazetar në Shqipëri që cënohet në misionin e tij kritik ndaj elitës sonë politike, por më kot.
Në Republikën tonë, kjo ndodh prej shumë kohës, vetëm në rastet kur Kryeministri përballet me gazëtarët. Nëse emri i politikanit është Edi Rama, atëherë të gjithë janë të lirë të thonë çfarë të duan e ta interpretojnë si të duan, qasjen e tij. Por kurrë më nuk ndodh, që të kemi qoftë edhe një reagim të vetëm simetrik e proporcional, kur emri i politikanit që sulmon gazetarët është: Ilir Meta, Monika Kryemadhi, Sali Berisha apo Lulzim Basha.
Kjo të bën që të reflektosh sërisht mbi deklaratat e Ilir Metës për mediat, kur thotë se “liria e të shprehurit është e drejtë themelore e njeriut dhe shtyllë e pazëvendësushme e jetike për një shoqëri moderne demokratike, si dhe për garantimin e llogaridhënies nga të gjitha institucionet publike”. Pyetja që shtrohet pas kësaj, është: Po Presidenca e Republikës sonë, a është një institucion publik? A duhet që ti nënshtrohet edhe ai llogaridhënies, si të gjitha institucionet e tjera? A është e garantuar e drejta e fjalës në këtë rast për të gjithë gazetarët shqiptarë? A është e garantuar në këtë mënyrë llogaridhënia e Kryetarit të Shtetit?!
Këto dhe shumë të tjera, janë pyetjet që shtrohen përpara Ilir Metës, të cilat nuk mund të anashkalohen as përmes pyetjeve të mia të vjetra dhe as përmes diversioneve të tij të reja. Në media, në politikë, në shoqëri apo në qytet mund të mos pëlqehesh me shumë njerëz apo nga shumë prej tyre, por jetojmë në një sistem ku neni “55” i dikurshëm i agjitacionit dhe propogandës, nuk do ta zëvendësojë dot kurrë thënien e Volterit: “Unë nuk jam dakord me atë që thua, por do ta mbroj deri në vdekje, të drejtën tënde që ta thuash!”
Ndaj sot jam në krah të Adriatik Doçit dhe të çdo gazetari tjetër, për ta thënë të vërtetën e tij si për çdo gjë tjetër, edhe rreth asaj që ai e quan skandali i nënshtetësive të dhëna nga Ilir Meta. Shkrimi im i vjetër, nuk mund ta ndihmojë dot sot, Presidentin e Republikës për hallin e tij të ri. Kur e kemi votuar të dy në Parlament reformën, kemi rënë dakord që drejtësia e re, do ti japi fund njëherë e përgjithmonë kësaj kulture politike të vjetër!