Pasi kanë zhvilluar dy seanca stërvitore të lehta, pa ngarkesë fizike, djemtë kuqezi janë gati për ndeshjen ndaj Kazakistanit. Ekipi ynë përfaqësues ndodhet prej ditës së premte në Almati pas një udhëtimi të lodhshëm prej më shumë se 6 orësh, ndërkohë që Edi Reja përpara se të dilte në konferencën e tij të fundit për shtyp për këtë ndeshje ka vazhduar me testet e tij rreth formacionit edhe pse është shprehur besim plotë tek lojtarët e grumbulluar pavarësisht se ndodhet në një fazë emergjence për shkak të mungesave për arsye të ndryshme për këto dy ndeshje të Ligës së Kombeve.
“Do të përpiqemi që të bëjmë një ndeshje të mirë ndaj Kazakistanit pasi i kemi të gjitha mundësitë. Kemi punuar shumë mirë gjatë kësaj javë që jemi përgatitur për këtë ndeshje dhe për këtë arsye prej një paraqitje të një niveli të lartë. Kazakistanin e njohim mirë, e kemi analizuar dhe mund të them që është një skuadër e mirë. Me fjalë të tjera na duhet një impenjim maksimal dhe një përqendrim maksimal.” Ndërkohë kapiteni kuqezi për këtë ndeshje, portieri Etrit Berisha është shprehur edhe i gatshëm për të treguare se jemi mbi kundërshtarët.
“Sigurisht që Shqipëria është skuadra pretendente e grupit këtë e them i bindur si të marrim lojtarët një e nga një ashtu si edhe në tërësi si skuadër. Megjithatë ndeshja e kaluar, ku ne humbëm me Lituaninë tregoi se dhe skuadrat e tjera kanë mundësi që të kualifikohen. Ne edhe pse jemi pretendent në letër tani duhet ta tregojmë edhe në fushë këtë gjë, pasi nuk është koha që të bëjmë shumë kalkulime sepse të gjitha skuadrat e grupit kanë nga një fitore dhe grupi është në ekuilibër. Ne që nga nesër duhet të fillojmë të bëjmë diferencën.” Ndeshja mes Kazakistanit dhe Shqipërisë do të zhvillohet ditën e diel në orën 15:00 me orën tonë lokale dhe do të transmetohet drejtpërdrejtë në platformën Digitalb.