Kryeministri Edi Rama deklaroi sot në Asamblenë e Partisë Socialiste se “Shqipëria sot është më e drejtë me biznesin, dhe duke qenë më e drejtë për ata, është më e drejtë për të gjithë”.

“Kur ne i kërkuam shqiptarëve votën ne u thamë që t’u jepnin fund shtypjes së pabarabartë të taksës së sheshtë. Dhe ashtu sikundër nuk i prekëm rrogat e pensionet siç na kërkonte me këmbëngulje FMN, ashtu përgjysmuam taksën e biznesit të vogël, ulëm taksat për të gjithë ata që janë punonjës me rroga mesatare dhe rritëm taksën për biznesin e madh. Është fakt dhe shifra këtu nuk është opinion. Ne mund të diskutojmë plot gjëra ideologjikisht mbi taksën e sheshtë apo progresive, por është fakt se kursimet janë 130 milionë dollarë. Përndryshe ato do të ishin në arkën e shtetit, nëse do të kishte vazhduar sistemi i tyre i taksimit, por kanë shkuar në arkën e familjeve që jetojnë me biznesin e vogël”, – tha Rama.

Duke u ndalur te shifrat e punësimit, Kryeministri theksoi se ato kanë ardhur edhe si rezultat i këtij lehtësimi”. “Për ata që thonë se me ardhjen tonë vdiq biznesi i vogël, fakt është se nga 2013 deri në 2018 ka 82 mijë të punësuar më shumë në biznesin e vogël. Ata janë persona që edhe nëse gjenin ndonjë punë sot për nesër, më parë ishin skllevër pa asnjë sigurim shoqëror, ndërsa sot janë qytetarë të siguruar”, – tha Rama.

“Na thonë se jemi partia e të pasurve, e atyre që punojnë për 10 veta, por 10 veta sa kanë paguar para se të vinim ne për të ndërtuar financat, shëndetësinë, arsimin, pagat e sektorit publik? Janë plot 3 herë më shumë para që i ka marrë shteti dhe jo familjet e tyre. Po 100 më të mëdhenjtë? Janë 400 milionë dollarë më shumë që kanë derdhur në arkën e shtetit.
Thonë që këto shifra vijnë si rezultat i faktit se ata kanë marr më shumë tendera, e pavërtetë”, – tha Rama.

“Thonë që taksa e sheshtë do të stimulojë punësimin. Janë 132 mijë të punësuar më shumë me ne. Janë të gjitha të nxjerra nga regjistri i Tatimeve”, – tha Rama.

Lidhur me fondin e rritjes së pagave, Rama solli në vëmendje shifrat që paguan sot sot shteti për pagat. “Sa nxjerr nga arka? Është shumë e thjeshtë. Janë 56.2 % më shumë sot që dalin nga arka e shtetit për të paguar paga. Këto janë të vërteta të thjeshta që kanë në themel sensin e drejtësisë dhe sot ne vijmë në pikën kur zerojmë taksën dhe kemi TVSH zero. Nuk është premtim elektoral. Ne zerojmë taksën deri në 140 milionë. Ky zerim është fakt, jo garë premtimesh. Por, duhet të jesh vërtetë kaq i ndërkryer sa të mos qeshësh e le më pastaj të shkosh ta votosh Lulin kur thotë se ne do ta bëjmë 0.5%. Ai jam i bindur se kur të vijë fushata do të thotë do ta bëjmë minus 0.5%, por ama nuk ka më tarifa të pushtetit vendor. Pra të mos paguash për pastrimin se do e pastrojë Luli me fshesën e Monikës, mos paguani për ndriçimin se do të na ndriçojë Iliri me Saliun. Ky është një dëshpërim i madh”, – tha Rama.