Pjesëmarrja në fazën e grupeve të Europa League do të mbetet një ëndërr për Tiranën. Skuadra e Emanuel Egbo u eliminua në raundin e playoffit të këtij kompeticionit nga Young Boys duke u bërë skuadra e fundit shqiptare që i tha lamtumirën kompeticioneve evropiane. Në Wandkorf Stadion, bardheblutë u dorëzuan lehtë kundrejt ekipit helvet teksa u mposhtën pastër 3-0 në një ndeshje që e mbyllën me 10 futbollistë.

Young Boys filloi të ushtrojë presion në portën e Tiranës që në minutat e para teksa pati disa tentativa. Bardheblutë arritën të rezistonin deri në minutën e 42 kur Young Boys gjeti edhe golin e avantazhit me Fassnacht që shfrytëzoi mjaft mirë një krosim nga krahu i majtë për të mposhtur portierin Bekaj me goditjen e tij me kokë. Me avantazhin 1-0 u mbyll edhe pjesa e parë e kësaj sfide.

Në pjesën e dytë gjërat për skuadrën helvete u lehtësuan akoma më shumë teksa verdhezinjtë shënuan edhe dy herë dhe protagonist u bë pikërisht Nsame pasi ishte pikërisht ai autori i golit te dytë dhe të tretë në minutat 52 dhe 64. Por makthi nuk mbaroi këtu për Tiranën që 3 minuta më vonë e pa veten në inferioritet numerik teksa Agustin Torrasa u ndëshkua edhe me kartonin e dytë të verdhë duke marrë automatikisht atë të kuq.

Për Young Boys u bë një lojë fëmijësh administrimi i rezultatit deri në fundin e këtij 90 minutëshi me skuadrën zvicerane që në fund siguroi pjesëmarrjen në fazën e grupeve të Europa League. Për Tiranën mbetet keqardhja që nuk pati forcën e duhur që të bëjë ëndrrën realitet, megjithatë bardheblutë kanë meritën që arritën deri në këtë pikë të kompeticioneve evropiane dhe kjo eksperiencë padyshim që do t’i shërbejë për të ardhmen.