Analistë pranë opozitës e përligjin precedentin “Meta” me sofizëm politik të llojit “i vetmi institucion i pakapur”, e kësisoj sipas tyre, presidenti e ka të justifikuar gjuhën e tij, që është në fakt ajo e një kryepartiaku të rëndomtë, por jo e një kreu shteti. Meta ka të drejtën të bëjë gjithë ditën e natën të bëjë lu ftë me të parin e qeverisë, por jo si kreu i shtetit. Analistët që janë krah tij, nëse do kishin një ndjeshmëri sadopak morale në qasjen e tij kritike ndaj qeverisë, do i kërkonin Metës që të dorëhiqej, e krah tij, në kushte të një kauze politike klasike, të bënin betejë me qeverinë me finale 25 prillin.
Duke mos e bërë këtë, ata po ushqejnë një amoralitet të rëndë politik, siç është katandisja e presidentit në një kryepartiak – ata e dinë fort mirë që Meta të cilin ata po shohin prej kohësh, nuk është presidenti por kreu i LSI-së – e njëherësh shfaqin frustrimin e tyre karshi Ramës. Një prej shpjegimeve psikologjike të kësaj ashpërsie deri çakërdisje të një skote politiko-analitike kundër Ramës, me Metën në krye, është pikërisht pafuqia e tyre për ta sfiduar Ramën nën normalitet, pra brenda një etike komunikative në llojin e narrativës dhe logjikës që duhet të përshkojë atë. Në vend të kësaj, kanë zgjedhur ekstremet, për t’i përligjur më pas me sofizma politikë.
Dhe një nga këto pra, është ajo që Rama ka kapur të gjitha pushtetet, e se duke mos kapur vetëm presidencën, njeriu i atyshëm po i bën ballë me dinjitet. Këtyre u duhet kujtuar se janë në një nonsens të rëndë logjike politike, që vjen pra bash dhe nga frustrim permanent karshi Ramës, ajo që është ky i fundit që e ka vendosur Metën aty, në presidencë. E nëse do kishte ndonjë akuzë sot ndaj Ramës, ndër më të meritoret, do ishte ajo e bërjes së Metës president, duke injoruar çdo sentiment publik ndaj një politikani që mban rekordin e kapjes me “presh (bllok) në dorë”.
Eshtë të ushqesh amoralitet politik duke përligjur luf tën e një presidenti me një kryeministër, i cili është aty jo me mandat populli por me mandatin e shefit të qeverisë. Pra, ku është kapja e institucioneve këtu kur Rama zgjedh t’i besojë kreun e shtetit atij i cili kalon në opozitë? Duke mos qenë të aftë në artikulimin e zbërthimin qartë e bindës të defekteve qeverisës, pse jo, dështimin e saj në shumë drejtime, zëri analitik pranë opozitës e ka bazuar narrativën në disa mite sofiste, ku një prej tyre është dhe “kapja e institucioneve”. Çfarë do thotë kapje institucionesh dhe cilat janë kapur realisht? Eshtë një pyetje që zorr se mund t’i japin përgjigje. Ashtu siç s’rreshtin duke thënë “oligarkë, oligarkët, oligarkët…”, pa artikuluar kurrë një emër prej tyre.