Mbyllja e procesit të votimit të kandidatëve për deputetë nga anëtarësia e PD-së, edhe pse ishte një farsë, ka sjellë disa të dhëna interesante. Ajo që bien ë sy, është fakti se njerëzit më të votuar, kanë qenë ata njerëz që nuk janë promovuar nga Lulzim Basha, por që e kanë fituar simpatinë e votuesve vetë. Një prej tye është Tomorr Alizoti, një politikan i ri, që vjen nga një familje e persekutuar dhe që në daljet e pakta publike, ka ngjallur reagim pozitiv për shkak të seriozitetit të tij.

Ai madje ka qenë edhe kundër Lulzim Bashës, teksa dha edhe dorëheqjen si sekretar i një departamenti në PD për të persekutuarit, për shkak të pakënaqësive me drejtimin e PD-së nga Basha. Për këtë arsye, u mënjanua për shumë kohë nga PD, nga ana e Lulzim Bashës, pavarësisht se efekti i tij në PD, ishte shumë pozitiv. Si Alizoti, e njëjta gjë mund të thuhet edhe për kreun e FRPD, Belind Këlliçi, që gjithashtu ka qenë një ndër më të votuarit në Tiranë. Në zgjedhjet e fundit, Lulzim Basha e la atë jashtë listës së kandidatëve për deputetë, dhe futi Ervin Salianjin, edhe pse Këlliçi e kishte mundur këtë të fundit në garën për kreun e FRPD-së dhe ishte dukshëm më i votuar dhe i pëlqyer nga anëtarësia e PD-së.

Duke qenë aktiv në veprimtarinë e tij të përditshme, Këlliçi duket se ka fituar një mbështetje të madhe në bazën e PD-së. Ndërkohë, për Grida Dumën, e cila ka rezultuar gjithashtu si një ndër më të pëlqyerat në Tiranë, diskutimi mund të bëhet pak më ndryshe. Kjo e fundit ka qenë e para që hapi debatin për lista të hapura në PD dhe për këtë arsye, për një periudhë u “dogj” nga Lulzim Basha, që nuk e promovonte më dhe nuk e nxirrte nëpër deklarata dhe aktivitete.

Por gjërat ndryshuan dhe Duma u bë sërish një “njeri i Bashës”. Edhe pse ajo ka qenë kandidate për Bashkinë e Durrësit, daljet e shpeshta në medie, artikulimi dhe natyrisht, paraqitja fizike, kanë ndikuar në rritjen e pëlqyeshmërisë. Natyrisht, historia e saj me Ervin Salianjin dhe divorci nga i shoqi mendohej se do të ndikonte negativisht tek karriera e saj, por për momentin nuk rezulton kështu. Ndërkohë, është interesant fakti se të gjithë politikanët e promovuar nga Lulzim Bashës, kanë rezultuar më pak të votuarit, duke filluar nga Jorida Tabaku, e cila u përfol edhe për kandidate për Bashkinë e Tiranës, deri tek Orjola Pampuri, Enno Bozdo etj. (TemA)