Kryeministri Edi Rama vizitoi sot nga afër ambientet e Spitalit COVID 3, të cilat janë të pajisura me aparatura dhe personel shëndetësor të mirëtrajnuar dhe janë gati për të pritur pacientët me COVID-19.
“E kemi thënë dhe e rithemi: Spitalet COVID 3 dhe 4 janë gati dhe asnjëherë, asnjë çast, qyshse ka nisur kjo luftë, nuk jemi kapur të papërgatitur, përkundrazi. Stafet rezervë janë rekrutuar, janë trajnuar dhe janë në gatishmëri”, tha Kryeministri Rama, duke përsëritur sërish apelin për mbajtjen e maskës, të distancës dhe të higjienës.
Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu theksoi se “struktura ka qenë gati”. “Besojmë se për shkak të fluksit të rritur Spitali do të funksionojë këtë javë. Janë përgatitur prej muajsh mjekët dhe infermierët që janë trajnuar dhe janë gati të ofrojnë shërbim, ndërkohë që Spitali është i pajisur me të gjitha monitorët e respiratorët që duhen”, tha ajo.
Sipas Manastirliut, “COVID 3 do të funksionojë te struktura e ish-kirurgjive dhe në total ka një kapacitet prej 150 shtretërish, përfshi edhe njësi të reanimacionit si dhe sallë kirurgjie në rast se do të ketë nevojë për ndërhyrje”.
Ministrja Manastirliu u shpreh se mjekët dhe stafi infermieror do të vazhdojë ta marrin bonusin deri në fund, ndërsa u bëri apel qytetarëve për mbajtje e maskës.
“Referuar studimeve të fundit redukton mortalitetin, pasi sa më shumë mbahet aq më pak virulent je”, tha ajo.
Sipas shefes së Infektivit, doktoreshë Najada Çomos, “struktura e re është përfunduar në aspektin fizik dhe të burimeve njerëzore”. “Është instaluar oksigjeni në çdo shtrat, janë pajisur me respiratorë dhe stafi, mjekë dhe infermierë, është trajnuar prej disa muajsh. Personeli infermieror është rekrutuar përmes portalit dhe një pjesë janë vullnetarë”, u shpreh Çomo.
Ajo theksoi se prej 7 muajsh mjekët dhe infermierët kanë punuar në spitalet antiCOVID.
“Kemi numër të shtuar pacientësh, por ende kemi kapacitete në dy spitalet e tjera COVID. Për sa kohë kemi kapacitete të tjera nuk ka arsye të hapim COVID 3, por gjithësesi kemi tendencën në rritje”, tha Çomo.